Lidhje

Hani i Hotit, ndalohen 6 shtetas të huaj


Shërbimet e policisë kufitare, në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi, ndaluan të mërkurën 6 shtetas pakistanezë që tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjëshme në drejtim të Malit të Zi. Ndalimi i tyre u bë në rrugën automobilistike Bajzë-Hani i Hotit, në afërsi të pikëkalimit kufitar.

Gjithashtu, shërbimet e policisë kufitare arrestuan në flagrancë shtetasin shqiptar Ardian Meta, vjeç 32 dhe me banim në Tiranë, i cili akuzohet se, me automjetin e tij tip Opel me targa AA 517 KH, po transportonte shtetasit e huaj duke ju dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufitrit shtetëror.

Nga informacionet paraprake të policisë, 6 shtetasit pakistanezë kanë hyrë në territorin e Shqipërisë përmes kufirit me Greqinë me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian.

Muajt e fundit janë regjisturar përpjekje në rritje të shtetasve nga vendet e treta për të përdorur territorin e Shqipërisë si rrugë kalimi drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ndaj shërbimet e policisë kufitare kanë forcuar masat e kontrollit, në përpjekje për të frenuar ndonjë valë të mundëshme të refugjatëve që kërkojnë të përdorin si tranzit territorin e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të policisë shqiptare, çdo 24 orë në territorin e Shqipërisë ndalohen mesatarisht 10 shtetas të huaj, kryesisht nga Siria, por edhe Jemeni, Iraku, Algjeria, Libia apo Pakistani. Pjesa më e madhe e refugjatëve të ndaluar janë kapur në zonën e Shkodrës teksa tentonin të kalonin kufirin e Malit të Zi me destinacion vendet e BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG