Lidhje

Mundësi tjetër për të hapur iPhone


Prokurorët amerikanë thanë të hënën se një palë e tretë kishte paraqitur një metodë të mundshme për hapjen e Iphone-it të inkriptuar të përdorur nga njëri prej sulmuesve në San Bernardino. Ky është një zhvillim që mund t’i japë fund përplasjes ligjore mes qeverisë amerikane dhe kompanisë Apple. Një gjykatës federal në Kaliforni u pajtua me kërkesën e qeverisë për të shtyrë një seancë dëgjimore të caktuar për sot (të martën), në mënyrë që prokurorët të kenë mundësi të provojnë teknikën e re të sapozbuluar. Departamenti i Drejtësisë ka thënë se do ta njoftojë gjykatën me të rejat më të fundit me 5 prill.

Deri dje, qeveria këmbëngulte se e kishte të pamundur qasjen në telefonin e përdorur nga Rizwan Farook, njëri prej vrasësve në masakrën e dhjetorit në San Bernardino, përveç se të detyronte kompaninë Apple të krijonte një program të ri që të ç’aktivizojë fjalë-kalimin.

“E ndërtuam Iphone për përdoruesit dhe e dimë se është një mjet shumë personal. Për shumë nga ne, iPhone është pjesë e jona. Rreth një muaji më parë u kërkuam amerikanëve që të përfshihen në debat. Duhet të vendosim si komb se sa fuqi duhet të ketë qeveria mbi të dhënat tona dhe privacinë.”

Muajin që kaloi, pas kërkesës së Departamentit të Drejtësisë gjykata i kërkoi kompanisë Apple që të krijonte një program për të hapur telefonin. Por Apple reagoi duke thënë se urdhëri është tejkalim kopetencash nga qeveria dhe do të minonte sigurinë kompjuterike për të gjithë.

“Nuk e kemi pritur që të jemi në një pozicion të tillë me qeverinë tonë por ne besojmë se kemi përgjegjësinë për të ju ndihmuar ju që të mbroni të dhënat tuaja dhe privacinë. Kjo është një çështje që na prek të gjithëve dhe nuk do të dorëzohemi para kësaj përgjegjësie.”

Njoftimi të hënën se një palë e tretë kishte gjetur një metodë për të hapur telefonin ka shkaktur skepticizëm për shumë njerëz në fushën teknologjike, që kanë këmbëngulur se ka mënyra të tjera për të siguruar hapjen e telefonit.

Ish prokurorë dhe avokatë që mbështesin kompaninë Apple thanë se kjo lëvizje sugjeron se Departamenti i Drejtësisë druhet se do të humbasë betejën ligjore, ose së paku do të detyrohet të pranojë se nuk ka provuar mënyra të tjera për të hapur telefonin.

Përmes një deklerate, Departamenti i Drejtësisë thotë se interesi i vetëm ka qënë gjithnjë që të ketë qasje tek të dhënat që mund të ketë telefoni dhe se kishte studiuar alternativa të tjera. Në dekleratë nuk jepen detaje rreth teknikës së re por theksojnë se janë optimistë se teknika e re mund të funksionojë.

Sipas disave, nëse kjo metodë e re funksionon, kjo do të shënonte edhe dhënien fund të përballjes mes qeverisë dhe kompanisë Apple që mendohet se përfundimisht do të shkonte deri në Gjykatën e Lartë.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, ka thënë se qasja ndaj telefonave dhe paisjeve të tjera është shumë e rendësishme kur flitet për punën e organeve të zbulimit dhe hetimet. Qeveria dhe industria teknologjike janë përballur për shumë vite lidhur me çështje të ngjashme ndërsa Kongresi nuk ka qënë në gjendje të miratojë legjislacione që trajtojnë këtë rrugë pa krye.

XS
SM
MD
LG