Lidhje

Paris, Presidenti Macron pret Kryeministrin e Libanit


Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, u prit në Pallatin Elysee në Paris, për të biseduar me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ofroi ta ndihmojë për të zgjidhur situatën e pazakontë dhe dramatike të skenës politike në Liban.

Zoti Hariri pati njoftuar në televizionin saudit dorëheqjen e tij, duke ngjallur kështu përshtjellim dhe skepticizëm.

Megjithatë, agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit njoftoi se zoti Hariri i telefonoi Presidentit libanez Michel Aoun për t’i thënë se do të kthehej në Liban javën e ardhshme, për të marrë pjesë në festimet e ditës së pavarësisë.

Siç njoftoi zoti Macron dje nga Suedia, zoti Hariri u prit si kryeministër i Libanit, pasi dorëheqja e tij nuk është pranuar në Liban.

Presidenti francez pati hedhur poshtë spekullimet se i ka ofruar azil zoti Hariri, por kjo shihet me dyshim.

“Mendoj se është tepër e pasigurtë ajo çfarë po ndodh tani në prapaskenë. Ka pikëpyetje të mëdha se çfarë planesh ka zoti Hariri pas kësaj, dhe se çfarë lloj marrëveshjeje do të arrihet”, thotë Julien Barnes-Dacey, analist për Lindjen e Mesme në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Largimi i zotit Hariri nga Arabia Saudite u dha fund dy javëve të trazuara, pasi ai njoftoi nga Riyadhi dorëheqjen e tij si kryeministër i Libanit, duke fajësuar Iranin dhe grupin Hezbollah, që është pjesë e qeverisë libaneze. Zoti Hariri u shpreh i frikësuar për jetën e tij.

Ky njoftim i tij nxorri në pah ndasitë e thella politike në Liban, një vend i dyzuar mes influencës konkuruese të Teheranit shiit dhe Riyadhit sunit, si dhe ngjalli akuza se sauditët po e mbanin zotin Hariri kundër dëshirës së tij.

Vizita në Paris e zotit Hariri, shënon një fitore diplomatike për Presidentin 39-vjeçar të Francës dhe zotimin e tij për të rikthyer Francën në skenën botërore. Ambiciet e zotit Macron përfshijnë edhe Lindjen e Mesme, ku ai zhvilloi javën e kaluar një vizitë surprizë në Arabinë Saudite në kulmin e krizës “Hariri”, pasi inauguroi muzeun e ri të Luvrit në Abu Dhabi. Lëvizjet e zotit Macron perceptohen si një manifestim i “fuqisë së butë” të Francës në këtë rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG