Lidhje

Haspel merr drejtimin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit


Gina Haspel do të jetë gruaja e parë që drejton Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA. Senati amerikan konfirmoi zonjën Haspel me 54 vota pro dhe 45 kundër, duke i dhënë fund procesit të trazuar të emërimit ku ligjvënësit risollën në pah praktikat e CIA-s në të kaluarën për marrjen në pyetje.

Gjashtë demokratë votuan në favor të zonjës Haspel, ndërsa dy republikanë e kundërshtuan emërimin e saj për të zëvendësuar zotin Mike Pompeo, i cili u konfirmua muajin e kaluar në postin e sekretarit të shtetit. Senatori republikan Tom Cotton përfaqëson shtetin Arkansa:

“Sekretari Pompeo e la agjencinë në gjendje të mirë dhe zonja Haspel ishte zëvendësja e tij shumë e aftë. Janë të paktë njerëzit që kanë kontribuar aq sa zonja Haspel në suksesin e kohëve të fundit të CIA-s. Ajo ka 33 vite eksperiencë.”

Patric Leahy është senator demokrat nga shteti Vermont.

“Kam pikpyetje lidhur me gjykimin e saj dhe besnikërinë ndaj një vlere themelore të vendit tonë. Të gjithë njerëzit kanë të drejta të caktuara të patjetërsueshme, dhe në bazën e këtyre të drejtave është besimi tek dinjitetin themelor i qenieve njerëzore, i papajtueshëm me praktika çnjerëzore si tortura.”

Gjatë seancës së konfirmimit, zonja Haspel në mënyrë të përsëritur nuk pranoi të thoshte nëse teknikat e ashpra të marrjes në pyetje ishin moralisht të gabuara. Në fillim të javës, ajo i shkroi një letër demokratit kryesor të komisionit të Senatit, Mark Warner të shtetit Virxhinia. Ajo thoshte në letër se CIA nuk duhet të kishte përdorur teknika abuzive gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve.

Zoti Warner tha përmes një deklerate se besonte se zonja Haspel nuk do të vepronte nëse Presidenti do ta urdhëronte atë të bënte diçka të paligjshme apo të pamoralshme si rikthimi i torturës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG