Lidhje

Një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë jep dorëheqjen


Drejtorja e Komunikimit e Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks, një nga njerëzit më të besuar të Presidentit Donald Trump që përpara zgjedhjes së tij, dha dorëheqjen.

Hicks e njoftoi dorëheqjen një ditë pasi nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të shumta të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, që po heton mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Adam Schiff, ligjvënës i Kalifornisë dhe demokrati kryesor në Komisionin për Zbulimin, tha se si pasojë, nevojitet një urdhër që ta detyrojë zonjën Hicks t’i paraqesë Komisionit dokumentet që i kërkohen.

Burimet thonë se zonja Hicks ishte nervoze dhe e tronditur nga pyetjet e shumta dhe të vështira që iu bënë gjatë gjithë ditës nga anëtarët e Komisionit. Nuk është e qartë nëse ky ishte ndër faktorët që ndikuan në vendimin e saj për të dhënë dorëheqjen.

Presidenti Trump e vlerësoi kontributin e zonjës Hicks.

Ajo është zyrtarja e pestë e Shtëpisë së Bardhë që shërben si Drejtore e Komunikimit në 14 muaj. Zonja Hicks pritet të qëndrojë në detyrë edhe disa javë.

Kushner, kredi pas takimesh në Shtëpinë e Bardhë?

Ndërkohë, gazeta New York Times njofton se dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, ka patur takime në Shtëpinë e Bardhë me kompani, që më vonë i dhanë kompanive të familjes së tij miliona dollarë kredi për pronat e tyre të patundshme.

Një zëdhënës i kompanive të familjes Kushner i tha rrjetit ABC News se prej 33 vjetësh këto firma kanë realizuar transaksione me të gjithë huadhënësit e mëdhenj dhe se njoftime të tilla përpiqen të sajojnë lidhje që nuk ekzistojnë. Por pyetja që bëjnë kritikët është nëse zoti Kushner duhet të ishte takuar me këto firma huadhënëse në mjediset e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump thotë se dhëndrri i tij po trajtohet në mënyrë të padrejtë. Nëse shumë prej jush nuk e dini, - tha Presidenti, - ai nuk merr pagë.

Sipas gazetës Nju Jork Times, kompania Apollo u ka dhënë firmave të familjes Kushner 148 milion dollarë kredi për t’i ndihmuar të rifinacojnë borxhin për një kullë në Çikago. Po sipas gazetës, Citi Group u ka dhënë kompanive të familjes Kushner dhe një firme partnere hua prej 325 milion dollarësh për të financuar ndërtesa me zyra në Bruklin të Nju Jorkut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG