Lidhje

Çifti Clinton, i rëndësishëm për zgjedhjet e 2014-s


Ky është një vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara dhe amerikanët, të cilët do të votojnë për një pjesë të anëtarëve të Kongresit, pritet të shohin shpesh ish-Presidentin Bill Klinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton. Të dy ata janë mjaft të kërkuar për të zhvilluar fushatë në mbështetje të kandidatëve të Partisë Demokrate. Por kjo mund të jetë edhe në interes të zonjës Clinton, nëse ajo vendos të kandidojë për presidente në vitin 2016.

Kjo situatë pritet të jetë e shpeshtë gjatë 2014-s: Bill Klinton duke bërë fushatë në mbështetje të demokratëve, në këtë rast një kandidate për Senatin, në Kentaki:

"Ka shumë rëndësi kush fiton në këto zgjedhje dhe Alison Lundergan Grimes duhet dhe do të fitojë me ndihmën tuaj!"

Zoti Klinton vazhdon të jetë popullor dhe demokratët janë të gatshëm të përfitojnë nga fama e tij. Ish-presidenti shfaqet edhe në një video të re të Partisë Demokrate mbi të drejtën e votës.

"Thyerja e barrierave dhe zgjerimi i mundësive ka qenë gjithmonë shenjë dalluese e vendit tonë dhe themel i Partisë Demokrate," thotë ai në video.

Zoti Klinton pritet të luajë një rol kyç nëse ish-Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton vendos të kandidojë për presidente në vitin 2016. Ajo po shton paraqitjet e saj publike, si një aktivitet i kohëve të fundit në Nju Jork, ku tha:

"Një nga këshillat më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë është ajo e zonjës Roosevelt në vitin 1920, kur tha se gratë në politikë apo në role publike duhet të kenë një lëkurë si të rinocerontit. Mendoj se ka diçka të vërtetë në të."

Ish-Sekretarja Clinton ka një avantazh të thellë në sondazhe mes kandidatëve të mundshëm në vitin 2016 dhe kandidatura e saj do të aktivizonte gratë demokrate, thotë analisti Stephen Hess:

"Ajo që do të ishte e veçantë në rastin e Hillary Clinton-it, edhe pse tashmë rastet në botë po shtohen, është se do të kishim gruan e parë Presidente të Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se në një farë mase ky do të ishte një faktor në avantazhin e saj, pasi do të mund të mobilizonte gratë, që janë më shumë se gjysma e popullsisë."

Por zgjedhjet presidenciale janë më shumë se dy vjet larg, thotë zoti Hess, një kohë shumë e gjatë në politikë.

"Mund të ndodhin kaq shumë gjëra në dy vjet saqë me siguri mes demokratëve ka një farë nervozizmi që kandidatja e tyre po pozicionohet kaq herët," thotë analisti Hess i Institutit Brookings.

Në mungesë të një kryesuesi të qartë mes kandidatëve të mundshëm të Partisë Republikane, strategu republikan Ron Bonjean pranon se Hillary Clinton do të jetë një kundërshtare e fortë.

"Ne do të na duhet dikush që është karizmatik, i zgjuar dhe i shkathët. Do të jetë interesante të shohim kush do të ofrohet."

Por gjasat janë që votuesit të kërkojnë ndryshim pasi Presidenti Obama të largohet dhe analisti Stuart Rothenberg thotë se kjo përbën një sfidë:

"Kandidati i ardhshëm demokrat, kushdo qoftë, do të duhet të zhvillojë një fushatë të distancuar, një lloj fushate të veçantë, shumë ndryshe."

Hillary Clinton pritet të vendosë mbi kandidimin për presidencën brenda fundit të këtij viti.
XS
SM
MD
LG