Lidhje

Historia e debateve presidenciale


Kandidatët presidencialë, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump, do të përballen të hënën e ardhshme në njërin prej disa debateve që do të zhvillojnë mes tyre. Debati mbahet në Hempstead të Nju Jorkut. Clinton dhe Trump janë në një garë të ngushtë për Shtëpinë e Bardhë dhe nëse historia përsëritet, debatet mund të kenë një ndikim të rëndësishëm tek rezultati i zgjedhjeve:

Debatet e para presidenciale të transmetuara me televizion filluan në vitet 1960 mes nënpresidentit republikan Richard Nixon dhe senatorit demokrat, John Kennedy.

“Ne duhet t’i japim këtij vendi një udhëheqje të vërtetë dhe ta vemë përsëri në lëvizje.” - tha Kennedy.

Paraqitja e shkëlqyer e Kennedy-it në debat kundrejt kandidatit më me përvojë Nixon, ndihmoi në rezultatin e zgjedhjeve, të cilat Kennedy i fitoi me rezultat të ngushtë.

Ky fakt tregon se debatet presidenciale mund të jenë të rëndësishme, thotë eksperti Jeremy Mayer:

“Debati ndihmon në statusin e kandidatit. Një kandidat më pak i njohur ka shansin të tregojë se ai mund të jetë i barabartë me një kandidat të njohur nga publiku.”

Në debatet e vitit 1976, Presidenti Gerald Ford e dëmtoi veten në garën me kandidatin demokrat Jimmy Carter, me një gafë për ndikimin e Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore.

“Nuk ka dominim sovjetik në Europën Lindore.” – tha ai.

Carter e shfrytëzoi gabimin e Fordit dhe ky i fundit e humbi garën. Ky është një tjetër shembull kur debatet provojnë të jenë shumë të rëndësishme, thotë profesori i Universitetit Georgetown, Stephen Wayne:

“Debatet janë të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale, kur kandidatët janë mbërthyer në një garë shumë të ngushtë. Shumica e njerëzve që ndjekin debatet e ruajnë mendimin për kandidatin e tyre të preferuar.”

Por katër vjet më pas, Carter nuk i fitoi më zgjedhjet, kur kandidati republikan Ronald Reagan u paraqit shumë më mirë se ai në debatin e tyre të vetëm:

Guvernatori Reagan përsëri është kundër këtij propozimi.”

“Ja ti përsëri.”

Pyetja e Reganit drejtuar votuesve në fund të debatit është bërë tashmë një pyetje standart në debate:

“Kur të votoni, duhet të pyesni veten: a jemi sot më mirë se sa katër vjet më parë?”

Vitet e fundit, kandidatët kanë qenë më të preokupuar që të mos bëjnë gabime të mëdha në debate, thotë prof. Jeremy Mayer:

“Debatet duket se po bëhen më pak të fuqishme. Njerëzit nuk i ndjekin ato më si më parë. Nëse kandidati bën një gafë, njerëzit mund ta shohin atë të publikuar në “Facebook” , ose në “YouTube.”

Analistët shpresojnë se debati i parë Clinton-Trump të jetë ngjarja më e ndjekur gjatë fushatës dhe të ketë një ndikim të madh tek secili prej kandidatëve.

XS
SM
MD
LG