Manifesti i Adolf Hitlerit "Mein Kampf" pritet të publikohet vitin e ardhshëm për herë të parë që nga vdekja e diktatorit të Luftës së Dytë Botërore, që njihet si përgjegjësi i Holokaustit.
Pas skadimit të afatit 70-vjeçar sipas së drejtës së autorit, lidhur me vdekjen me vetëvrasje në vitin 1945 të sundimtarit anti-semit, manuskripti do të bëhet pronë e publikut; është në plan që ai të botohet në një version të pajisur me shënime, të veprës në dy vëllime në gjermanisht. Ky botim ka shkaktuar debate në publik.
Grupe hebraike thonë se libri që thekson zhvillimin e antisemitizimit të Hitlerit është i rrezikshëm dhe nuk duhet publikuar më kurrë në Gjermani.
Por botuesit e librit "Hitler, Mein Kampf. A Critical Edition", thonë se versioni i publikuar prej tyre e ve në kontekst fjalimin plot urrejtje të Adolf Hitlerit, duke e shpjeguar se si njeriu më famëkeq i shekullit të 20-të i formoi idetë e tij dhe duke theksuar të metat dhe të pavërtetat e argumenteve të tij.
"Mein Kampf" nuk është publikuar në Gjermani që nga viti 1945, për të respektuar miliona hebrejtë, romët dhe të tjerë që vdiqën në kampet naziste të përqëndrimit gjatë luftës. Libri është botuar më parë në vende dhe gjuhë të tjera të botës.
Libri "Ditari i Anna Frankut"
Ndërkohë, po e i skadon afati i të drejtës së autorit edhe një tjetër libri mjaft të njohur të epokës së Luftës së Dytë Botërore, "Ditari i Ana Frankut". Por një fondacion zviceran, i cili zotëron të drejtën e autorit, po e shtyn afatin që libri të bëhet pronë e publikut.
Fondacioni "The Anne Frank Fonds" muajin e kaluar e bëri të njohur synimin për ta shtuar babain e Anna Frankut, Otto Frank, si bashkëautor të librit, një vendim që do ta shtynte afatin e së drejtës së autorit deri në vitin 2050. Ai ishte personi që e dha për botim ditarin e vajzës së tij, e cila vdiq në një kamp përqëndrimi në vitin 1945.
Fondacioni zviceron argumenton se përfshirja e Otto Frankut në redaktimin e ditarit të së bijës, bën që ai të konsiderohet si bashkëautor. Shtyrja e afatit të së drejtës së autorit deri në viti 2050, do të bënte që fondacioni të vazhdojë të marrë fitime nga "Ditari i Anna Frankut" për 35 vitet e ardhshme.