Lidhje

Komuniteti i rrjeteve alternative ndihmon Hjustonin


Fatkeqësitë natyrore si Uragani Harvey, përbëjnë kërcënim jo vetëm për jetët njerëzore, por edhe për sistemet e telekomunikacionit. Kur uragani godet, të gjitha qytetet dhe komunitetet e prekura izolohen nga njëri-tjetri. Por rrjete të caktuara që funksionojnë pa energji elektrike, mund të lidhin njerëzit përsëri dhe, gjatë emergjencave, janë thelbësore për marrjen e informacionit.

Kur Uragani Sandy goditi qytetin e Nju Jorkut në vitin 2012, Manhatani i poshtëm mbeti në erësirë, pa elektricitet apo lidhje.

“Thelbi është se nëse infrastruktura qëndrore ndërpritet, të gjithë që janë të lidhur në të gjithashtu nuk kanë lidhje.”

Pa patur mundësinë të përdorte rrjetin e celularit, njujorkezja Daniela Perdomo dhe vëllai i saj më pas vendosën të krijonin rrjetin e tyre. goTenna Mesh është një rrjet pajisjesh që funksionon kur rrjetet tradicionale dështojnë.

“Rrjeti lidhet me telefonin përmes Bluetooth-it i cili shërben thjesht si lidhje mes pajisjes dhe telefonit. Më pas pajisja goTenna transmeton valë radioje me frekuenca të ulta mbi një distancë të madhe.”

Këto valë radioje janë të mjaftueshme për të përçuar mesazhe me tekst dhe informacion për sistemin GPS. Në situata emergjente si Uragani Harvey në Hjuston, rrjete të tilla mund të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

Fillimisht i zhvilluar për përdorim në ushtri, rrjete të tilla përhapin lidhjen përmes disa ‘nyjeve’, apo pikash lidhje që komunikojnë me njëra tjetrën.

“Çdo pajisje individuale me Wi-Fi nuk arrin distanca të largëta, por në se i lidh së bashku, atëherë mbulon një zonë më të madhe.”

“Ideja është t’i bëjmë sistemet e telekomunikacionit më modulare, më të shpërndara, në mënyrë që edhe kur pikat qëndrore dështojnë, të ketë përsëri zona të ndryshme ku telekomunikacioni funksionon.”

Rrjete të tilla mund të lidhin disa përdorues në një internet më të gjerë ose funksionojnë si një server lokal për informacione emergjente dhe lidhje bazë.

Greta Byrum ndihmon komunitetet të ndërtojnë rrjetet e tyre duke përdorur pajisje të përditshme si rautërs pa tela dhe kompjutera të vegjël tabletë si Raspberry Pi.

“Mendoj se është e rëndësishme të mendojmë rreth së ardhmes së telekomunikacionit pasi gjithnjë e më shumë po përballemi me situata ku sistemet qëndrore nuk kanë kuptim.”

“Përse të mos iu mundësojmë njerëzve të krijojnë vetë lidhjet mes tyre… të krijojnë rrjetat e tyre në vend të një infrastrukture gjigande?”

Në situata të krijuara nga stuhitë, rrjete të tilla po rivendosin energjinë në më shumë se një mënyrë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG