Lidhje

SHBA-ja do të deportojë 57 mijë shtetas të Hondurasit


Administrata amerikane po i jep fund statusit të mbrojtur për rreth 57 mijë shtetasve të Hondurasit. Ata kanë qëndruar nëpërmjet këtij statusi për gati dy dekada në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Sigurisë njoftoi vendimi për të mbyllur programin do të hyjë në zbatim pas 18 muajsh, në janar të vitit 2020, “për të mundësuar një tranzicion të rregullt”.

Qeveria e Hondurasit shprehu keqardhje për vendimin e SHBA-së dhe se nuk janë të përgatitur për të pritur kaq shumë njerëz që do të kthehen.

“Ky është një vendim traumatik për ta dhe ne duhet të tregojmë solidaritet; të dërgojmë një mesazh shprese që jo çdo gjë ka marrë fund dhe se ka ende veprime që mund të ndërmerren”, tha Ana Garcia Carias, Zonja e Parë e Hondurasit.

Për hondurasit, programi i mbrojtjes së përkohshme është zbatuar që në vitin 1999, pas uraganit Mitch që la pasoja shkatërruese për këtë vend të Amerikës Qendrore.

Grupet për të drejtat e emigrantëve dhe sindikatat premtuan të mbështesin emigrantët nga Hondurasi.

“57 mijë hondurasit që Trump kërkon t’i zbojë nga SHBA-ja mund të shkojnë në një vend që është sot shumë më i rrezikshëm për gratë, për pjesëtarët e komunitetit indigjen, komunitetit LGBTQ dhe minoritetet e tjera, krahasuar me periudhën kur u larguan dhe përfituan statusin e mbrojtjes së përkohshme. Mjafton të themi se ata janë anëtarë të komunitetit tonë dhe po sulmohen”, tha Ada Briceno, drejtuese sindikatash.

Pakësimi i emigracionit të ligjshëm dhe goditja e emigracionit të paligjshëm kanë përparësi në axhendën e Presidentit Donald Trump.

Kryetarja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, bëri një deklaratë ku thuhet se “me eliminimin e statusit të mbrojtjes së përkohshme dhe deportimin e dhjetëra mijëra familjeve vetëm do të shtohen vuajtjet në Honduras, ku destabiliteti politik, mungesa e ushqimeve dhe dhuna e bandave vazhdojnë të godasin pa mëshirë popullsinë vendase”.

XS
SM
MD
LG