Lidhje

Hong Kong: Dënim për korrupsion për ish-shefin ekzekutiv


Një gjykatë në Hong Kong dënoi Donald Tsang, ish shefin ekzekutiv të territorit kinez, me 20 muaj burg nën akuzën e korrupsionit.

72-vjeçari Tsang u gjet fajtor javën e kaluar pasi dështoi të bëjë publike negociatat që kishte kryer për qeranë e një apartamenti luksoz që i përkiste një kompanie të madhe në fushën e komunikimit, e cila ndodhej në proces për marrjen e një licence të transmetimeve numerike nga qeveria.

Vendimi i gjykatës njollosi një karrierë të gjatë dhe të shquar në shërbimin publik për zotin Tsang, i cili udhëhoqi Hong Kongun nga viti 2005 deri në vitin 2012.

Ai është zyrtari më i lartë që dënohet për një krim në historinë e Hong Kongut.

Tsang përballet me një rigjykim tjetër në shtator nën akuza për rryshfet, pasi anëtarët e jurisë nuk arritën një vendim unanim në gjyqin e parë.

Hong Kongu, i njohur për qeverisje të pastër, është tronditur vitet e fundit nga një varg rastesh korrupsioni të zyrtarëve publikë.

XS
SM
MD
LG