Lidhje

Vazhdojnë protestat në Hong Kong


Një zyrtare e lartë në Hong Kong ka paralajmëruar protestuesit se mund të arrestohen, nëse nuk largohen nga rrugët që kanë bllokuar me tendat e kampimit. Protestuesit qëndrojnë aty prej javësh me thirrjet për reforma demokratike.

Sekretarja e parë Carrie Lam u bëri dje thirrje protestuesve të largohen pa vonesë dhe në mënyrë paqësore nga rrugët të cilat, tha ajo, janë zaptuar në mënyrë të paligjshme. Ajo nuk tha se kur mund të ndërhynte policia për të larguar protestuesit nga rrugët:

“Prandaj, me synimin për të mbrojtur sundimin e drejtësisë dhe ligjit, policia do të angazhohet plotësisht, qoftë edhe duke bërë arrestime nëse është e nevojshme, për të zbatuar urdhërat e nxjerra nga gjykata”.

Zonja Lam, personi numër dy në administratën e Hong Kongut, tha se për momentin nuk sheh vend për dialog me protestuesit, për të cilët tha se nuk janë treguar të sinqertë në bisedimet e mëparshme.

Dje Gjykata e Lartë e Hong Kongut vendosi se policia mund të arrestojë protestues që nuk u binden urdhërave të policisë gjatë pastrimit të zonës. Ky vendim ka zgjuar shqetësime për ringjalljen e përleshjeve.

“Prej ditësh më është mbushur mendja se nëse policia do të lirojë zonën nga protestuesit, do ta bëjë një gjë të tillë. Ne bëjmë sa mundemi, ngremë zërin me kërkesat tona. Nuk kemi çfarë të bëjmë për policinë. E vetmja gjë që kemi në dorë është të ngremë zërin për ato që duam”.

Përpjekje të policisë në të kaluarën për të pastruar zonën dhe për të larguar protestuesit kanë çuar në zgjerimin e demonstratave. Në një pikë të protestave, dhjetëra mijëra vetë ishin bashkuar me lëvizjen protestuese që kërkon një proces plotësisht demokratik në përgatitje për zgjedhjet e 2017 në këtë territor kinez.

XS
SM
MD
LG