Lidhje

Hong Kong, operacione për të hequr barrikadat


Policia e Hong Kongut përdori varé dhe sharra elektrike për të hequr barrikadat nga bulevardi kryesor në zonën finaniare të qytetit, ku protestuesit kanë qëndruar prej dy javësh, duke bërë thirrje për reforma politike. Protestuesit premtojnë t’i përmbahen zotimit për qëndresë pa dhunë, por thonë se nuk do të largohen nga zona:

Qindra policë, disa të pasijur me veshje mbrojtëse, hoqën pankarta dhe prishën tenda në bulevardin Qeensway në zonën Admiratly në qendër të Hong Kongut.

Turma protestuesish, disa duke ngashëryer, shkëmbyen fjalë me policinë, por nuk u përpoqën të ndalin operacionin, i cili ishte përpjekja e dytë brenda dy ditësh për të larguar barrikadat që sipas autoriteteve ishin të paligjshme.

“Nëse duhet të rezistojmë do të varet nga vetë termi rezistencë. Pa dyshim do të ngremë barrikada për të penguar përpjekjet e policisë. Por nuk do të përleshemi me policinë, pasi i përmbahemi parimit të qëndresës pa dhunë”.

Policia thotë se protestuesit mund të qëndrojnë në zonë, por nuk mund të bllokojnë trafikun apo të pengojnë linjat e tramvajës që kalojnë në mes të rrugës.

Policia bëri përpjekjen e parë të suksesshme për të hequr barrikadat dje. Menjëherë më pas protestuesit ngritën barrikada të reja me beton, degë bambuje dhe shufra hekuri.

Po dje, qindra vetë me maska dhe me thika në duar, u ballafaquan me policinë që po përpiqej të hiqte barrikadën. Policia arriti t’i sprapsë protestuesit dhe nuk pati njoftime për lëndime.

Demonstratat filluan në fund të shtatorit me thirrjet për dorëheqjen e udhëheqësit të qytetit gjysmë-autonom dhe për një proces zgjedhor pa ndërhyrje nga Kina, qoftë nga procedurat apo kandidatët. Administratori i Hong Kongut Leung Chun-ying ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG