Lidhje

Hooper: Prishtina do të ruajë sovranitetin në veri


Analist i çështjeve të Ballkanit, James Hooper tha se mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët për veriun e Kosovës

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të rëndësishme ku çështje kryesore është gjetja e një zgjidhjeje për Mitrovicën veriore. Beogradi po kërkon autonomi për serbët e asaj zone kurse Prishtina po kërkon zbatimin e planit të Marti Ahtisarit. Sipas mendimit tuaj, cila është zgjidhja reale për këtë çështje?

James Hooper: Së pari më lejoni të uroj popullin e Kosovës me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë. Pavarësisht nga diskutimet, kritikat që po ndodhin brenda Kosovës rreth negociatave, gjithmonë është e dobishme të shikohen gjërat nga një perspektivë tjetër. Kosova ka qenë e pavarur për pesë vjet, pavarësia e saj është pranuar nga pothuaj 100 vende dhe nga shumica dërrmuese e vendeve evropiane. Nuk ka kërcënime ushtarake kundër Kosovës. Gjendja në kufijtë e saj është relativisht e qetë. Natyrisht ka patur incidente të cilat ne i kuptojmë. Nuk është gjë e keqe të analizohet përparimi që është bërë në këto pesë vitet e fundit. Në fund të kësaj periudhe pesë vjeçare kanë filluar këto negociata. Mendoj se nuk është herët për këto negociata. Unë kam shpresë se në fund të bisedimeve do të arrihet një marrëveshje. Nuk i di hollësitë e marrëveshjës për Mitrovicën dhe për veriun. Por, përpjekja për zgjidhjen e çështjes së veriut është bazë për zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve të reja mes Serbisë dhe Kosovës si dhe vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian, institucionet përëndimore dhe Kombet e Bashkuara. Nga kjo pikëpamje bisedimet janë të mira. Është një qeveri e përgjegjshme dhe efikase në Kosovë e cila po zhvillon bisedime në emër të saj. Mendoj se kryeministri i Kosovës e ka bërë të qartë se ai është serioz në mbrojtjen e interesave të Kosovës në këto bisedime. Prandaj, unë nuk mendoj se kryeministri do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje që do të minonte interesat kosovare. As qeveria serbe nuk do të nënshkruajë marrëveshje që do të minonte interesat serbe. Por, unë mendoj se ata po përpiqen të gjejnë fusha të interesit të përbashkët. Ka shumë çështje në veri për të cilat mund të gjendet një zgjidhje që do të kënaqte të dyja palët. Ato mund të mos jenë zgjidhje të preferuar për secilën palë por mund të jenë të pranueshme për të dyja palët. Unë mendojë se ata do të arrijnë këtë në lidhje me Mitrovicën dhe veriun në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Pikërisht në lidhje me veriun dhe Mitrovicën, opozita në Kosovë është e shqetësuar se pjesë e dialogu është krijimi i një asosacioni komunash serbe me pushtet ekzekutiv që mund të shihet si një hap drejt një autonomie territoriale. Si i përgjigjeni këtyre shqetësimeve. A janë këto shqetësime legjitime?

James Hooper: Mendoj se është një gjë e mirë që ka një opozitë në Kosovë. Kjo tregon se ajo është një demokraci serioze, se qeveria nuk po përpiqet ta shtyp opozitën dhe se ajo ka të drejtë të shpreh mendimin e saj. Nuk e di se çka përfshihet në këtë Lidhje të Komunave. Por nëse bëhet fjalë për një situatë në të cilën komunat kanë autoritet për trajtimin e çështjeve lokale, gjë që është parashikuar deri në njëfarë mase në planin e Ahtisarit, është më mirë të ketë këshilltarë të zgjedhur në veri që luajnë këtë rol në administrimin lokal se sa ekzistenca e institucioneve paralele, një rrjetëqë operon në hije dhe që i përgjigjet organizatave të sigurisë në Beograd. Mendoj se duhet të shkohet në këtë drejtim. Është më mirë të kesh një asosacion të tillë komunash me autoritet të qartë për fusha të përcaktuara mirë se sa institucionet paralele. Mendoj se Prishtina do të vazhdojë të ketë sovranitetin në veri. Nuk kam parë asgjë që tregon se kryeministri është i gatshëm të dorëzojë sovranitetin e Kosovës në veri të lumit Ibër. Unë nuk jam aq i shqetësuar në lidhje me këtë. Nëse mund të zhvendoset pushteti në veri nga institucionet paralele në një numër këshillash komunale të zgjedhura, mendoj se do të ishte një hap i madh përpara për njerëzit në veri, për Kosovën në përgjithësi dhe për Serbinë. Prandaj, unë mendoj se është e mundur që të ketë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët në këtë rast.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, pas mbarimit të bisedimeve Serbia pret marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Po Kosova çfarë mund të përfitojë nga ky dialog?

James Hooper: Mendoj se nëse arrihet një marrëveshje, siç e thatë Serbia do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarisim në BE. Nuk mendoj se Beogradi do të nënshkruante një marrëveshje nëse nuk do të merrte datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Unë besoj se në rast të arritjes së një marrëveshje, Kosova do të përmirësojë statusin e saj kundrejt Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Kosovës marrëdhënia më të përparuara. Është në interes të Bashkimit Evropian që të sigurohen që kosovarët të kenë një nxitje për t’u bërë një vend më evropian. Edhe Serbia do që të bëhet pjesë e Evropës. Kosova dëshiron të bëhet pjesë e Evropës. Mendoj se Evropa do t’i përgjigjet kësaj dhe kam besim se do ta çojë përpara procesin e integrimit për Kosovën.
XS
SM
MD
LG