Lidhje

Hua e re për Greqinë


Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë kanë rënë dakord t’i japin një tjetër paketë ndihmash financiare prej 8.7 miliardë dollarësh këtij vendi.

Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë kanë rënë dakord t’i japin një tjetër paketë ndihmash financiare prej 8.7 miliardë dollarësh këtij vendi, megjithëse ata paralajmërojnë se vendi po përballet me një të ardhme të pasigurt ekonomike.

Greqia ka kërkuar një paketë të dytë ndihmash financiare prej më shumë se 10 miliardë dollarësh për të shmangur mospagimin e borxheve në javët e ardhshme. Por ministrat e financave të eurozonës në takimin e djeshëm në Bruksel zgjodhën paketën më të vogël të ndihmave financiare dhe thanë se ajo do të ndahet gjatë tre muajve të ardhshëm.
Huadhënësit e Greqisë, vendet evropiane, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, thonë se Greqia e përfshirë nga borxhet po lëvizë shumë ngadalë në kryerjen e reformave të premtuara ekonomike. Greqia ndodhet në vitin e gjashtë të recesionit dhe huadhënësit e saj thonë se e ardhmja ekonomike mbetet e pasigurt.

Para takimit të ministrave të financave, inspektorët ndërkombëtarë të borxhit arritën një marrëveshje me Athinën për pushimin nga puna të mijëra punonjësve të sektorit publik deri në fund të këtij viti, si shkëmbim për lëshimin e këstit të ri të huasë.

Disa mijëra punonjës të sektorit publik, shumica prej të cilëve mund të humbasin vendin e punës në muajt e ardhshëm, protestuan në Athinë kundër shkurtimit të vendeve të punës.

XS
SM
MD
LG