Lidhje

HRW: Të drejtat e njeriut të rrezikuara


Qeveritë po përdorin politikën e frikës për të shtypur të drejtat e njeriut. Kështu e përshkruan organizata Human Rights Watch gjendjen e të drejtave të njeriut në raportin e vitit 2016. Ajo paralajmëron se po shtypet disidenca dhe po dhunohen të drejtat si nga qeveritë autokratike, ashtu edhe nga ato demokratike.

Të drejtat janë duke u dhunuar.

“Gjatë vitit të kaluar kemi vënë re se autokratët dhe qeveritë autoritare i frikësohen shoqërisë civile,”- thotë zyrtari i HRW.

Ato i frikësohen një shoqërie të fuqizuar prej mediave sociale. Vende si Kina dhe Rusia, janë duke shtypur këto të drejta më shumë se ndonjëherë më parë:

“Si Putini, ashtu edhe Xi Jinping, kanë bërë një pakt të pashkruar me popullin e tyre. Ata u thonë se do u japin begati në rritje, dhe si shpërblim të lejohen të qeverisin pa përgjegjshmëri. Por, tani që ekonomia ka vështirësi, këta udhëheqës frikësohen se njerëzit do të fillojnë të protestojnë.”

Organizata thotë se fluksi i madh i emigrantëve në Evropë prej luftës në Siri, ka shtyrë disa parti të djathta evropiane të mbjellin islamofobinë. Frika se disa prej emigrantëve mund të jenë terroristë, po shpërqëndron vëmendjen e qeverive evropiane për të trajtuar shkaqet e ekstremizmit vendas:

“Arsyeja ka qenë kaosi, dhe natyra e çorganizuar e prurjeve të refugjatëve. Ky kaos ka rritur ndjesinë se Evropa ka humbur kontrollin e kufijve të saj. Kjo ka rritur frikën e terrorizmit dhe se ISIS do të infiltrojë terroristë midis refugjatëve.”

Por, lufta ndaj terrorizmit në SHBA dhe Evropë është gjithashtu shqetësuese për Human Rights Watch, që paralajmëron ligjvënësit amerikanë të mos heqin kufizimet për agjensitë e zbulimit që kryejnë survejim masiv, si dhe kritikon disa qeveri evropiane që i kanë zgjeruar këto fuqi. Këto masa dëmtojnë të drejtat e privatësisë.

Raporti përmbledh 90 vende të votës. Në Amerikën Latine ka abuzime serioze, dhe rivendosja e marrëdhënieve SHBA-Kubë nuk ka ndryshuar shumë gjëra.

“Deri tani, situata në Kubë vazhdon njësoj. Duhet presion prej qeverive demokratike të Amerikës Latine, Evropës dhe vendeve të tjera, tashmë që administrata Obama nuk shikohet më si nxitëse e politikave izoluese,”- thotë zyrtari i HRW.

Shqetësim përbëjnë gjithashtu edhe kartelet e drogës në Meksikë, korrupsioni, abuzimi i qeverisë së Venezulës kundër opozitës, dhe mundësia që guerrilasit FARC të Kolumbisë t’i shpëtojnë drejtësisë pas një marrëveshjeje që po negociohet me qeverinë.

XS
SM
MD
LG