Lidhje

Human Rights Watch, e shqetësuar rreth populizmit


Kreu i Human Rights Watch, grupi i të drejtave të njeriut me seli në Nju Jork, paralajmëroi se rritja globale e populizmit ka të ngjarë të dëmtojë të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike në nivel global.

Drejtori ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Kenneth Roth thotë se beson se udhëheqësit populistë, që pretendojnë se flasin me popullin, e përdorin këtë status për të shkelur të drejtat e pakicave të rrezikuara. Kur politikanët fillojnë të cenojnë të drejtat e disave, paralajmëron ai, kjo çon në destabilizimin e të drejtave të shumë të tjerëve.

Ai thotë se është i shqetësuar se rritja globale e populizmit do të dobësojë angazhimin global për vlerat e të drejtave njerëzore. Ai thotë se kjo trondit shumë nga shtyllat mbi të cilat janë ndërtuar Kombet e Bashkuara dhe instrumentet e të drejtave të njeriut.

“Jam shumë i shqetësuar se do të humbasim zërin e Shteteve të Bashkuara si një mbrojtës i të drejtave të njeriut në mbarë botën. Nuk e dimë këtë ende, dhe është herët të thuhet. Por është një shqetësim i madh duke patur parasysh admirimin e shprehur nga zoti Trump për burrat e fuqishëm dhe emërimet e tij në postet drejtuese, si sekretari i Shtetit, i cili ende nuk ka treguar ndonjë interes për të drejtat e njeriut,” tha zoti Roth.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë qënë një zë i rëndësishëm dhe model për shoqërinë civile në shumë vende, por ai është i shqetësuar se shumë qeveri do ta përdorin ardhjen e presidentit Trump në pushtet, për të shtypur disidentët.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të shihen më si një faktor që mund të marrë një rol drejtues në mbrojtjen e vlerave të drejtave njerëzore, prandaj vendet e tjera duhet të ndërhyjnë dhe të marrin kontrollin.

Roth e paralajmëron zotin Trump kundër një partneriteti me presidentin rus Vladimir Putin në përpjekjet për të çrrënjosur ISIS-in. Ai i tha Zërit të Amerikës se strategjia kundër terrorizmit e zotit Putin është të zhdukë qytetet që shihen si simpatizante të terroristëve:

“Kjo është një mënyrë shumë jo e zgjuar për të luftuar terrorizmin pasi në kontekstin sirian, kur flet për ISIS-in, kjo shihet si një politikë anti-sunive. Shihet si mospërfillje e plotë për jetën e sunive. Dhe në këtë atmosferë, ISIS-i lulëzon.”

Zoti Roth thotë se çelësi i luftës kundër islamizmit radikal është ndërtimi i shoqërive gjithëpërfshirëse. Ai thotë se të ndjekësh qasjen e Putinit për luftë pa dallim, nuk është një mënyrë e zgjuar për të luftuar Shtetin Islamik.

XS
SM
MD
LG