Lidhje

Hungaria pezullon procesin për azilkërkuesit


Hungaria thotë se do ta pezullojë procesin për azilkërkuesit e regjistruar brenda kufijve të saj, për shkak se shtimi i valës së refugjatëve është i papërballueshëm për infrastrukturën e vendit.

Një zëdhënës i qeverisë bëri të njohur të marten në mbrëmje se Hungaria i ka informuar partnerët e saj në BE për pezullimin e përkohshëm. Meqenëse ky veprim bie në kundërshtim me rregullat e BE-së, nuk është i qartë reagimi i anëtarëve të tjerë të bllokut.

Ky njoftim i Hungarisë i referohet një marrëveshjeje mes anëtarëve të BE-së, sipas së cilës azilkërkuesit mund të udhëtojnë lirisht brenda BE-së, por si qendër duhet të kenë vendin ku kanë hyrë për herë të parë, për të ndjekur procedurat ligjore.

Hungaria është goditur rëndë nga shtimi i numrit të refugjatëve vitin e kaluar, krahas me Greqinë dhe Italinë, që janë pika të tjera hyrjeje për refugjatët që përpiqen t’i largohen dhunës në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar zyrtarët hungarezë njoftuan planet për ndërtimin e një gardhi 4 metra të lartë përgjatë 175 kilometrave të kufirit me Serbinë, për të çrrënjosur fluksin e imigrantëve të paligjshëm. Shifrat qeveritare tregojnë se policia hungareze ka kapur mbi 60 mijë njerëz deri tani këtë vit, të cilët përpiqen të hyjnë ilegalisht në Hungari, krahasuar me rreth 43 mijë që ishte kjo shifër gjatë gjithë vitit 2014.

Mbarë Europa po përpiqet të zgjidhë çështjen e fluksit në rritje të imigrantëve gjatë vitit të kaluar. Qindra refugjatë kanë humbur jetën në det, ndërsa përpiqeshin të kalonin përmes rrugës së rrezikshme nga Afrika Veriere për në ishujt europianë, me anije të vjetra, të mbingarkuara.

Udhëheqësit e BE-së kanë në plan të diskutojnë këtë javë lidhur me shpërndarjen me drejtësi të imigrantëve që kanë mbërritur gjatë këtij viti në brigjet italiane dhe greke. Komisioni Evropian ka propozuar sistemimin e 40 mijë refugjatëve në disa vende evropiane në dy vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG