Lidhje

Ministri i jashtëm hungarez flet kundër multikulturalizmit


Ministri i jashtëm i Hungarisë mohoi akuzat se qeveria e tij është raciste, por tha se nuk pranon që një shoqëri multikulturore është më e mirë se ajo homogjene. Komentet e tij kanë nxitur reagime nga organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Komisionerin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó i tha të mërkurën Zërit të Amerikës në Organzatën e Kombeve të Bashkuara, se vendi i tij nuk e pranon se multikulturalizmi është në vetvete një vlerë.

"Ne nuk e pranojmë që multikulturalizmi do të ishte më i mirë sesa një shoqëri homogjene, për shembull. Ne mendojmë se një vend, ose shoqëria e tij janë ata që vendosin nëse e konsiderojnë atë si një vlerë".

Ministri i Jashtëm Szijjártó shtoi se Hungaria ka qenë "një shoqëri homogjene e bashkuar hungareze, e krishterë " për 1100 vjet dhe e konsideron "këtë si vlerë".

Komentet e tij ishin gjithashtu një përgjigje ndaj komenteve qortuese të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut muajin e kaluar, ku ai akuzonte kryeministrin hungarez Viktor Orban se ishte një njeri "racist" dhe "ksenofob", sepse Orban, tha ai, nuk dëshiron që Hungaria të jetë "shumëngjyrëshe".

Imigracioni ka qenë një çështje e rëndësishme elektorale në disa zgjedhje të fundit evropiane, përfshirë Hungarinë. Këtë të dielë, hungarezët do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme dhe Kryeministri Orban dhe partia e tij e krahut të djathtë, Fidesz, pritet të dalë fituese dhe të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG