Lidhje

GNK paralajmëron për shkallëzimin e gjendjes në Maqedoni


Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) e shikon me shqetësim gjendjen në Maqedoni pas skandalit të përgjimeve dhe ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë. GNK ngre nevojën për menaxhimin e menjëhershëm të krizës të cilën e quan të dyfishtë për shkak të legjitimitetit të qeverisë dhe sigurisë rajonale, sepse në të kundërtën ekziston rreziku për përplasje të dhunshme, madje në rastin më të keq, sipas Grupit, me elemente të konfliktit të vitit 2001.

Grupi i Krizave vlerëson se institucionet maqedonase kanë humbur besimin dhe ato nuk mund ta zgjidhin situatën të vetme. Bashkimi Evropian, thuhet më tej në raport, duhet të bëjë trysni për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse që do të adresonte kapjen e shtetit dhe korrupsionin e raportuar, përfshirë hetimet e pavarura dhe vëzhgimin me ndihmën ndërkombëtare.

Maqedonia dhe Kosova duhet, sipas këshillave të GNK-së, që bashkërisht të hetojnë rastin e Kumanovës.

Në lidhje me skandalin e përgjimeve, thuhet se shumica e atyre të cilët duhet të bartin përgjegjësi për kundërshtimin e veprave joligjore, janë përfshirë vetë në këtë çështje.

Më tej, nënvizohet se “në mes të krizës, gjatë një ndërhyrjeje policore në Kumanovë më 9 maj u gjet një grup shqiptarësh i armatosur rëndë, përfshirë ish-luftëtarë nga Kosova”. Ndërsa theksohen dëmet në njerëz dhe shkatërrimet e lagjes, në raport thuhet se shumëçka ka mbetur në errësirë për sa i përket motivit dhe planeve të grupit në Maqedoni si dhe për hollësitë e operacionit policor.

“Incidenti nuk u përhap në konflikt etnik. Shqiptarët, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullatës, janë të indinjuar thellësisht nga ajo që e shohin si status të dorës së dytë dhe trajtim jo të barabartë në shtetin e dominuar nga maqedonasit”, thuhet në raport.

Po ashtu në raport theksohen pritjet më të mëdha të shqiptarëve nga Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund kofliktit të vitit 2001 dhe kishte për qëllim t’ua shtonte atyre rolin në ndarjen e fuqisë në shtetin e përbashkët.

GNK vlerëson se deri tani paqja ndëretike ka rezistuar, ndërsa publikimi i mëtejshëm i bisedave të përgjuara telefonike, apo një incident tjetër i përgjakshëm mund të nxisë rrezikun në një shkallë të paparashikueshme.

Grupi i Krizave vë në dukje se edhe përkundër asaj që Maqedonia për një kohë dukej se po ndërtonte një shtet modern, transparent, duke integruar komunitetin shqiptar, përparimi i tillë ka ndaluar, madje është kthyer mbrapsht, që nga vetoja greke e vitit 2008 si pasojë e mosmarrëveshjejeve midis dy shteteve mbi emrin e republikës (Maqedonisë) e që bllokoi perspektivën e integrimit në Nato dhe BE.

Më tutje, në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave thuhet se përgjimet kanë kompromituar gjithashtu edhe partinë shqiptare në pushtet. Grupi thotë se BE-ja e cila ka rol direkt në pengimin e kërcënimeve ndaj qëndrueshmërisë rajonale dhe përgjegjësi për të ndihmuar shtetin, të cilit i ka dhënë statusin vend kandidat për antarësim, duhet të dyfishojë përpjekjet për të bindur drejtuesit e Maqedonisë për rikthimin e besimit tek qeveria, përmes arritjes së një marrëveshjeje ndër-partiake e cila zotohet që të:

Themelojë një qeveri të përkohshme përmes procedurave normale parlamentare, me pjesëmarrjen e përshtatshme të të gjitha partive kryesore, detyra e të cilave do të ishte që të zbatojnë reformat e duhura për zgjedhjet e prillit, 2016, posaçërisht çështjet e listave të votuesve, qasjen e barabartë në media dhe atë të shpërdorimit të detyrës për qëllime partiake.

Gjithashtu, sugjerohet miratimi i një ligji që do të formonte dy komisione të pavarura, njëri do të merrej me qeverinë e përkohshme që do të përgatiste zgjedhjet, ndërsa komisioni tjetër do të merrej me përgjimet dhe hetimin e krimeve dhe korrupsionit që dalin nga to.

Në raport bëhet thirrje edhe për përmirësimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit duke siguruar përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike, si dhe investime të drejta të qeverisë në rajonet e banuara me shqiptarë dhe respektimi i barazisë gjuhësore. GNK sugjeron se një hetim i përbashkët i Maqedonisë dhe Kosovës me ndihmën edhe të SHBA dhe BE mbi incidentin në Kumanovë do të përmirësonte marrëdhëniet e dyanshme, si për shembull mbajtjen e takimeve të rregullta ndër-qeveritare dhe bashkëpuimin mbi vëzhgimin e kufirit.

XS
SM
MD
LG