Lidhje

Brammertz: Fundi i Misionit të Gjykatës së Hagës nuk mbyll betejën për drejtësi

  • Rudina Dervishi

Ndërsa Gjykata e Hagës përfundon misionin e saj duke sjellë para drejtësisë përgjegjësit kryesorë të krimeve të luftës në Ballkan, kryeprokurori Serge Brammertz thotë se mbetet shumë punë për t’u bërë nga gjykatat kombëtare për të ndëshkuar autorët e tjerë të krimeve.

Në një konferencë të organizuar nga Komisioni i Helsinkit dhe Komisioni Tom Lantos për të Drejtat e Njeriut, pjesëmarrësit diskutuan për nevojën e angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për të çuar deri në fund drejtësinë dhe arritjen e ripajtimit mes vendeve të Ballkanit Perendimor.

Me 161 aktpadi, 90 dënime dhe 15 dhënie pafajësie, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi po i jep fund një misioni 24 vjeçar duke sjellë para drejtësisë autorët kryesorë të krimeve. Por beteja për të vendosur drejtësinë për viktimat e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë është ende larg, thotë kryeprokurori i gjykatës së Hagës Serge Brammertz.

"Dua të jem shumë realist për situatën. Të gjithë e dimë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, mijëra hetime janë ende në zhvillim e sipër. 3 mijë vetëm në Bosnje-Hercegovinë. Dhe nuk ka alternativë tjetër veçse të ecet përpara. Unë nuk besoj se të afërmit e viktimave do ta pranojnë ndonjëherë se askush nuk është përgjegjës për vrasjet e tyre”.

Kryeprokurori Brammertz shprehu kritika për mungesën e vullnetit politik për t’u ballafaquar me krimet e luftës.

“Udhëheqësit politikë në Kroaci, Bosnje dhe Serbi nuk po i mbështetësin hetimet. Ata u japin vëmendje më të madhe të dënuarve për krimet e luftës që i konsiderojnë si heronj dhe u kushtojnë shumë më pak vëmendje viktimave, dhe të mbijetuarëve që meritojnë shumë më tepër vëmendje. "

Ligjvënësi demokrat Eliot Engel tërhoqi vëmendjen tek mungesa e vazhdueshme e gadishmërisë së Beogradit për t’u ballafaquar me krimet e kryera në Kosovë. Ai solli si shembull një raport të Qendrës për të Drejtën Humanitare në Serbi ku jepen hollësi të një operacioni për fshehjen e civilëve të vrarë nga serbët në Kosovë.

“Vrasja e gati 1 mijë civilëve të pafajshëm është një krim i madh kundër njerëzimit, por autorët jo vetëm nuk janë ndëshkuar, ata as nuk janë ndjekur. Beogradi duhet të kishte vepruar kohë më parë, për të parë në sy faktet dhe për të sjellë përpara drejtësisë fajtorët, përfshi zyrtarë të lartë në qeverinë e vet që janë pas këtyre krimeve serioze”.

Ligjvënësi Engel tha se derisa Beogradi të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve, BE-ja nuk duhet të vazhdojë procesin e pranimit të Serbisë dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta mendojnë mirë përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë.

Ilir Bytyqi, vëllai i tre shtetasve amerikanë me origjinë nga Kosova që u vranë nga forcat serbe gjatë luftës përsëriti thirrjen ndaj presidentit Vuçiç për të sjellë para drejtësisë vrasësit.

“Pres që presidenti Vuçiç të mbaj premtimin për të sjell drejtësi për familjet time dhe të gjitha viktimat në Kosovë, Srebrenicë, Kroaci. Premtimi është premtim. Nuk ka vend për lojra. Ai është president, është udhëheqës. Kur nuk mban premtimet nuk mund ta drejtosh vendin drejt së ardhmes. Nuk mund të ketë të ardhme pa u përballur me të shkuarën, president!”

Ndërsa gjykata e Hagës përfundon procesin e ndjekjeve penale, misioni i saj për ripajtimin e vendeve të Ballkanit mbetet i pa përfunduar.

“Ka padyshim nevojë për përgjegjshmëri për shumë krime të kryera në Kosovë dhe mbetet për t’u parë çfarë iniciativash do të ndërmerren në Beograd për këtë çështje. Nëse nuk ka përgjegjshmëri, nëse përgjegjësit e krimeve të kryera nuk identifikohen dhe dënohen, nuk mendoj se do të ketë pajtim”, tha zoti Brammertz.

Mes Kosovës dhe Serbisë, tha kryeprokurori i Hagës, ka një klimë politike të vështirë dhe do të jetë e nevojshme, që herët apo vonë të gjendet një zgjidhje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG