Lidhje

Gjykata e Hagës liron nga akuzat Sheshelin


Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, shpalli të pafajshëm dhe e liroi nga të gjitha akuzat, udhëheqësin radikal serb Vojisllav Sheshel. Ai përballej me tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për krime lufte lidhur me nxitjen e spastrimit etnik në Bosnjë, Kroaci dhe në krahinën e Vojvodinës. Prokurorët reaguan me kritika dhe thanë se mund ta apelojnë vendimin.

Gjykatësi Jean-Claude Antonetti lexoi vendimin për lirimin e Vojisllav Sheshelit nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke deklaruar se me këtë vendim ai është tani individ i lirë:

“Me lirimin nga nëntë akuzat në akt-padi, urdhër-arresti i nxjerrë nga gjykata e apelit më 17 qershor, 2015, bëhet i pavlefshëm. Pas këtij vendimi, Vojisllav Sheshel është tani i lirë”.

Procesi gjyqësor rezultoi i vështirë për Gjykatën e Hagës, me vonesa të shumta, ndërkohë që Shesheli përfaqësoi veten para gjykatësve dhe i bëri sfidë institucionit me çdo formë. Vendimi i sotëm u përcoll me zhgënjim nga prokurorët:

“Jam plotësisht i bindur se komunitetet e viktimave dhe shumë njerëz nuk janë të kënaqur me këtë rezultat. Edhe ne ndjejmë një irritim të ngjashëm me ta. Zyra jonë do të analizojë me kujdes argumentet që i paraqitëm gjykatës për të vendosur nëse do ta apelojmë vendimin. Vendimi për të apeluar apo jo nuk do të merret sot, por në ditët e ardhshme”. “Ka një numër përfundimesh në argumentimin e vendimit, që nuk përputhen me jurisprudencën normale të gjykatës, si për shembull mungesa e sulmeve të gjera apo sistematike kundër popullatës civile, apo lidhur me retorikën e urrejtjes, e cila nga gjykatësit konsiderohej si retorikë inkurajuese, jo nxitëse për të kryer krime,” - tha Prokurori Serge Brammertz.

Prokurorët e kishin akuzuar Vojisllav Sheshelin se kishte ndezur konfliktet e dhunshme etnike me retorikën e zjarrtë në fillim të luftrave të viteve 1990, që lanë pas 130 mijë të vdekur. Prokurorët thanë se përveç retorikës për krijimin e një Serbie të pastër etnike, apo “Serbinë e Madhe”, ai ndihmoi për ngritjen e njësive paraushtarake për ta zbatuar këtë plan. Këto njësi dëbuan dhjetëra mijëra myslimanë e kroatë nga banesat e tyre.

Në Bosnje, pranë Zvornikut ku trupat serbe kryen vrasje masive në 1992, familjet e viktimave shprehën zhgënjim me vendimin, por thanë se janë mësuar me raste të tilla kur drejtësia nuk vihet në vend:

“Është për të ardhur keq që personi që kreu këto krime nuk dënohet. E dimë mirë çfarë ka bërë. Im atë e morën nga shtëpia në 1992. Në atë kohë isha ushtar në ushtrinë jugosllave. Nëna dhe motra shkuan në komandën e ushtrisë me fotografinë time si ushtar dhe kërkuan lirimin e babait. Ata i thanë se nuk kishin çfarë të bënin, pasi babain e kishte marrë njësia “Shqiponjat e Bardha”. Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë ku është trupi. Njerëzit e ndershëm për fat të keq nuk i beson njeri. Besohen ata që janë të ligj. Sikur ta kishin dënuar Sheshelin 100 vjet nuk do të kishim gjetur shumë ngushëllim,” thotë Hajrudin Okanoviç, mysliman i Bosnjes.

Shesheli nuk ishte në Hagë në momentin kur u lexua vendimi. Ai u dorëzua vetë në gjykatë në 2003, por u lejua të kthehej në Serbi në nëntor 2014 për mjekim nga kanceri i mëlçisë.

61-vjeçari Sheshel njihet për një numër veprash që ka shkruar, për fjalime të apasionuara, për temperamentin kolerik, për kërcënimet e shfrenuara, kur thoshte se “do u nxjerr sytë armiqve të Serbisë me lugë të ndryshkur”. Ai ka thënë se ka në plan të konkurrojë për deputet i Partisë Radikale serbe në zgjedhjet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG