Lidhje

Situatë më e qetë në Idomeni


Sot ishte një situatë më e qetë në kufirin Greqi – Maqedoni megjithëse vazhdonin të mbërrinin dhjetëra emigrantë dhe refugjatë në gardhin kufitar pranë qytetit Idomeni. Ditën e djeshme pati përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, bomba zhurmuese, plumba plastikë dhe ujë me presion për të zmbrapsur emigrantët që po përpiqeshin të prishnin gardhin.

Greqia e dënoi përdorimin e djeshëm nga policia maqedonase të gazit lotsjellës, plumbave plastikë dhe granatave zhurmuese ndaj turmës së emigrantëve.

Agjensia e ndihmave “Doktorët pa Kufij” thonë se mjekët e saj trajtuan në kamp mbi 200 persona me pasoja nga gazi lotsjellës dhe lëndime të tjera.

Mahmudi 23-vjeçar nga Aleppo e Sirisë, thotë se policia maqedonase e qëlloi me plumb plastik nga afër dhe i theu krahun:

“U befasuam që edhe para se t’i afroheshim gardhit hodhën gaz lotsjellës. Ne u shpërndamë, por vazhduan me granata zhurmuese dhe me plumba plastikë. Përdorën gjithçka menjëherë dhe kjo krijoi reagim negativ dhe zemërim tek protestuesit.”

Në një reagim të fortë, zëdhënësi i qeverisë greke për koordinimin e emigracionit tha se ky përdorim force është i papranueshëm:

“Përdorimi për orë të tëra i gazit lotsjellës, granatave zhurmuese dhe plumbave plastikë edhe ndaj grave dhe fëmijëve është për të ardhur keq dhe është një praktikë e rrezikshme. Autoritetet maqedonase duhet të kuptojnë rreziqet që krijojnë për emigrantët. Gjithashtu, u bëjmë thirrje refugjatëve mos të besojnë gënjeshtrat që u thuhen për kufirin. Duhet ta kuptojnë se kufiri është i mbyllur.”

Në qytetin Idomeni janë grumbulluar mbi 11 mijë emigrantë dhe refugjatë, të cilët që në muajin shkurt nuk munden të vazhdojnë më tej pas mbylljes së kufijve në Ballkan.

Autoritetet greke janë munduar të bindin emigrantët të zhvendosen drejt qendrave të pritjes, por deri më tani ata kanë refuzuar.

XS
SM
MD
LG