Lidhje

Dëshpërimi i refugjatëve në Idomeni


Në anën greke të kufirit me Maqedoninë, 12 mijë refugjatë vazhdojnë të jenë në pritje. Që kur rruga e tyre për në pjesën tjetër të Europës u mbyll muajin e kaluar, kampi në Idomeni ka qenë skenë protestash, gazi lotsjellës dhe madje këto ditë pati edhe një vdekje. Por ndërsa banorët e kampit janë në pritje, shtohet zhgënjimi i tyre, krahas me njoftimet se njerëzit po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për ta vazhduar udhëtimin e tyre.

Ata janë kaq pranë, e megjithatë tepër larg: në kufirin grek me Maqedoninë, 12 mijë refugjatë jetojnë me shpresat që po u veniten me shpejtësi.

Që kur Maqedonia ju mbylli dyert refugjatëve muajin e kaluar, kampi i Idomenit ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të dëshpëruara për të kaluar kufirin.

…Dhe tani po shtohet irritimi i atyre që e shohin rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë të bllokuar dhe pa shpjegime nga autoritetet për të ardhmen.

“Mes komunitetit të refugjatëve këtu në Idomeni sheh shumë zhgënjim. Përse? Sepse njerëzit shohin që kufiri është mbyllur, ata nuk kanë informacion se kur, apo në se do të hapet ndonjëherë kufiri”, - thotë një punonjës i ndihmave.

Javën e kaluar një kurd u godit nga një makinë policie, gjë që shkaktoi trazira. Ai vdiq pak ditë më vonë.

Që atëhere, gjendja ka qenë përgjithësisht e qetë, por policia vazhdoi të ndërhyjë në përleshjet që ndodhin herë pas here mes refugjatëve.

Shumica e sirianëve dhe refugjatëve të kombësive të tjera që ndodhen këtu, i qëndrojnë larg dhunës dhe ata thjesht vazhdojnë ta jetojnë jetën e tyre nga dita në ditë.

Por ata janë të gjithë të bashkuar në këtë pritje dhe përherë e më të dëshpëruar për të gjetur një rrugë përtej Greqisë, ku ka pak punë, duke ju kthyer përsëri metodave që i sollën ata kaq larg:

“Shumica e njerëzve tani mendojnë për rrugën e vështirë, atë të kontrabandës, për të kaluar kufirin. Tani ata përpiqen çdo ditë që të kalojnë kufirin natën,”- thotë një refugjat.

Ndonëse vullnetarët dhe grupet e ndryshme të ndihmave përpiqen t’i bëjnë kushtet sa më të lehta përmes shpërndarjes së ushqimeve, apo aktiviteteve të tjera, mangësita janë të mëdha për këta njerëz që kanë mbetur pa një rrugëdalaje.

“Njerëzit ndjehen të traumatizuar, ata duan të vazhdojnë rrugën, por kufiri është i mbyllur…Kjo është arsyeja që ata janë të dëshpëruar,” - thotë një refugjat.

Çdo ditë që kalon dhe vjen mbrëmja e ftohtë, duket që zhgënjimi dhe dëshpërimi vetëm se do të shtohen.

XS
SM
MD
LG