Lidhje

Imigracioni mbetet temë e nxehtë në zgjedhjet presidenciale 2012


Imigracioni mbetet temë e nxehtë në zgjedhjet presidenciale 2012
Imigracioni mbetet temë e nxehtë në zgjedhjet presidenciale 2012

Në zgjedhjet presidenciale të 2012, hispanikët mund të luajnë një rol më të madh se kurrë më parë në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. Ky është grupi i votuesve që po përjeton rritjen më të madhe në numër. Shumë latino-amerikanë po e ndjekin me vëmendje garën presidenciale, veçanërisht për sa u përket pikëpamjeve të kandidatëve lidhur me imigracionin. Korrespondentja Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelosi i Kalifornisë, një shtet që miratoi kohët e fundit një ligj për t’u ofruar studentëve ndihmë financiare, edhe në rastet kur janë imigrantë të paligjshëm.

“Unë kam lindur në Halisko të Meksikës. Erdha në Shtetet e Bashkuara kur isha 2 vjeç”.

Rasti i Nancy Meza nuk është unik. E ëma e solli këtu për t’u arsimuar.

“Unë erdha me nënën përmes shkretëtirës, të dyja pa dokumenta. Unë e konsideroj veten amerikane. E vetmja gjë që më mungon është dokumenti”.

Meza sapo ka mbaruar studimet universitare dhe tani do të zgjedhë të vazhdojë studimet pasuniversitare, ose studimet juridike. Një ligj i ri në Kaliforni, i titulluar “Ligji i Ëndrrave”, ia ka lehtësuar përmbushjen e këtyre planeve, pasi edhe studentët që nuk janë me dokumenta të rregullta, kanë mundësi të marrin ndihmë financiare për të ndjekur studimet në një universitet shtetëror në Kaliforni.

“Pa diskutim, miratimi i Ligjit të Ëndrrave ka hapur për ne dyer që të jemi në gjendje të realizojmë ato që kemi dëshiruar gjithmonë”.

Përllogaritet se rreth 11 milionë imigrantë pa dokumenta jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Prej tyre, dy milionë janë të rinj dhe student, thotë Kent Wong, drejtor i Qendrës për Forcën e Punës në Los Anxhelos të Kalifornisë. Vetëm 3 shtete amerikane lejojnë imigrantë të paligjshëm të aplikojnë për ndihmë financiare në universitete shtetërore:

“Këta të rinj nuk kanë thyer ligjet. Ata kanë bërë ato që u ka kërkuar shoqëria jonë. Ata kanë punuar fort, kanë studiuar fort dhe kanë vazhduar shkollën. Tani që janë gati për universitet, duam t’i ndëshkojmë për diçka që nuk e kishin në dorë”.

Ligji i Ëndrrave doli para Senatit amerikan, por nuk mori votat e nevojshme. Ky ligj do t’u kishte hapur imigrantëve të paligjshëm rrugën e shtetësisë.

“Faktikisht, pasi pjesa më e madhe e imigrantëve të paligjshëm janë nga Azia dhe Amerika Latine, anëtarët konservatorë të Kongresit, shumica e tyre të bardhë, kanë reaguar me forcë, pasi i tremben integrimit të studentëve me ngjyrë në shoqërinë tonë”.

Por politologu republikan Luis Alvarado thotë se pikëpamjet e shumë demokratëve dhe republikanëve janë të ngjashme. Ai thotë se shumë republikanë dhe latino-amerikanë preferojnë reformimin e politikave të imigracionit në nivel kombëtar, pasi shtete si Kalifornia nuk mund të kenë politika individuale për imigracionin.

“Mjafton të shkosh në një spital të Los Anxhelosit dhe do ta kuptosh nga ata që sheh në sallën e urgjencës se kush po i shfrytëzon këto shërbime. Kjo është një barrë që e bart gjithë shoqëria, pasi kjo çështje nuk është zgjidhur. Zgjidhja do të jetë tepër e ndërlikuar, dhe fakti është që nuk do të gjejmë zgjidhje deri në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm”.

Edhe vetë kandidatët republikanë, që shpresojnë të përballen me Presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit 2012, kanë pikëpamje të ndryshme. Disa prej tyre thonë se zgjidhja është me ndërtimin e një muri rrethues përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, të tjerë duan gjetjen e mënyrave për t’u dhënë status të ligjshëm imigrantëve të paligjshëm që ndodhen në Shtetet e Bashkuara. Zoti Alvarado thotë se republikanët dhe demokratët duhet të punojnë së bashku dhe të mos vonojnë gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e imigracionit.

XS
SM
MD
LG