Lidhje

Një grua nga Miami kujdeset për 1000 fëmijë imigrantë


Vitin e kaluar, administrata e Presidentit Barack Obama dëboi 240 mijë imigrantë pa dokumenta që nuk kishin histori kriminale, 20 mijë më shumë se në vitin 2012, sipas studimeve të qendrës Pew. Shumë nga të dëbuarit lanë pas fëmijë që janë qytetarë amerikanë sepse kanë lindur këtu. Por kush kujdeset për këta fëmijë? Do t’ju njohim tani me një grua nga Florida që po kujdeset për qindra prej tyre.

Michelle është vajza e saj, por edhe Alejandra. Edhe Victor, Andrea dhe Allison janë fëmijët e saj. Këta fëmijë dhe më shumë se 900 të tjerë janë nën kujdesin e Nora Sandigos. Ajo u sjell atyre çdo ditë mjete shkollore dhe ushqime që i janë dhuruar organizatës së saj.

Dhe çdo javë ajo i mbledh ata në shtëpinë e saj në Florida.

Sandigo ruan dokumentat e secilit prej fëmijëve: pasaporta, çertifikata lindjeje dhe transferime të noterizuara të kudjestarisë. Dokumentat për afro një mijë fëmijët, prindërit e të cilëve kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre.

“Nëse e bën për një ose dy, duhet ta bësh për të gjithë”.

Fëmijët kanë lindur në Shtetet e Bashkuara, domethënë janë qytetarë amerikanë. Por ose njëri ose dy prindërit e tyre pa dokumenta, janë deportuar. Si për shembull fëmijët e Franciscas, që është gjashtë muaj shtatzanë. Një gjykatës sapo ka urdhëruar deportimin e burrit të saj në Guatemala. Kjo e vë statusin e saj në rrezik prandaj ajo ia kaloi kujdestarinë e dy vajzave dhe foshnjës së palindur Sandigos.

“Nuk e di se ç’do të ndodhë”.

Kur prindërit dëbohen, ata mund t’i marrin fëmijët shtetas me vete po të duan. Por shumë vendosin që t’i lënë.

“Nuk dua t’i marr fëmijët sepse e ardhmja e tyre është këtu”.

Nëse fëmijët qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, ata mund të marrin ndihmë ekonomike nga qeveria. Por Sandigo thotë se të afërmit ose fqinjët që marrin përsipër t’i mbajnë fëmijët, druhen të kërkojnë ndihmë nga agjencitë qeveritare.
Carol Emig drejton qendrën studimore dhe analitike Child Trend. Ajo vlerëson ndihmën e Sandigos, por...

“Ajo nuk është në gjendje në situatën e saj të japë atë lloj mbrojtjeje që mund të sigurojë një sistem funksional ndihme. Nuk ka punonjës socialë që kontrollojnë ecurinë e fëmijëve në shtëpitë e kujdestarëve”.

Celularët e Sandigos bien pa pushim, gjithmonë dikush që ka nevojë për diçka. Ajo nuk mendon se do të përfundojnë ndonjëherë nevojat.

“Kush po i ndan familjet? Jo unë. Nuk nuk kam pushtet”.

Sandigo është aq e indinjuar saqë mori një autobus me qera, e mbushi me 38 nga fëmijët shkoi nga Miami në Shtëpinë e Bardhë ku i kërkoi ndihmë Presidentit Obama.

“Ndalni menjëherë dëbimet. Jo vetëm për babain tim, por edhe për fëmijët e tjerë”.

“Unë, mamaja dhe motra po lutemi për babain”.

Por presidenti Obama e ka shtyrë marrjen e masave për reformën e imigracionit.

“Politikanët i kërkuan ta shtynte vendimin deri pas zgjedhjeve. Dhe ai ashtu bëri. Është e trishtueshme sepse ai luajti me vuajtjet e fëmijëve”.

Si demokratët, edhe republikanët akuzojnë njëri-tjetrin për politizim të çështjes para zgjedhjeve të nëntorit.

Dhe tani për tani, Sandigo vazhdon me sistemin e vet të ndihmës, duke qenë e ndërgjegjshme se kontributi i saj do të jetë i nevojshëm për një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG