Lidhje

Clinton, Trump, mbi imigrantët pa dokumenta


Hillary Clinton dhe Donald Trump kanë pikëpamje krejt të ndryshme për politikat e imigracionit në SHBA, me propozime që ndonjëherë janë krejtësisht të kundërta.

Premtimet e tyre gjatë fushatës variojnë që nga vendosja e theksit mbi zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe deri tek nevoja për ligje të reja, madje edhe për ndryshime të Kushtetutës amerikane.

Një ndër pikëpyetjet më të mëdha është se çfarë duhet bërë me 11 milionë njerëz që jetojnë ilegalisht në SHBA. Në kushtet aktuale, këta njerëz kanë fare pak mundësi për të përfituar nënshtetësinë. Zonja Clinton thotë se një ndër përparësitë e saj kryesore është një reformimi i sistemit të imigracionit që do të përfshinte ofrimin e mundësisë për shtetësinë, gjë që nuk mbështetet nga zoti Trump.

Një prioritet parësor i zotit Trump do të ishte deportimi i menjëhershëm i emigrantëve pa dokumenta që kanë kryer vepra penale. Edhe zonja Clinton thotë se do ta ketë prioritet deportimin e kriminelëve të dhunshëm.

Të dy kandidatët ndjekin në përgjithësi politikat aktuale të administratës Obama. Një memo e vitit 2014 e Sekretarit të Sigurisë në Kombëtare, Jeh Johnson, përcakton si objektiva parësorë të organeve të emigracionit, personat e dyshuar për terrorizëm apo spiunazh, të cilët janë munduar të hyjnë ilegalisht në vend, si dhe personat e gjetur fajtorë për përfshirje në banda apo mashtrime. Njerëzit e ndodhur në SHBA, por që nuk kanë kryer krime apo abuzime madhore me programin e vizave amerikane, janë të rëndësisë dytësore.

DY URDHËRAT EKZEKUTIVË TË PRESIDENTIT OBAMA

Presidenti Obama nënshkroi dy urdhëra ekzekutivë për imigracionin gjatë mandatit të tij. Njëri urdhër lejon prindërit e shtetasve amerikanë apo rezidentëve të ligjshëm që të aplikojnë për shtyrjen e zbatimit të urdhërave të autoriteteve të imigracionit. Urdhëri i dytë lejon shtyrje të këtyre proçedurave për të miturit që kanë hyrë në SHBA përpara se të mbushnin moshën 16-vjeçare.

Zonja Clinton dëshiron t’i ruajë të dyja këto masa. Zoti Trump i tha kanalit televiziv NBC gjatë një interviste në muajin gusht të vitit 2015 se ai do të kërkonte shfuqizimin e tyre dhe se “do të krijonte standarte krejtësisht të reja”.

ZOTI TRUMP KËRKON NDRYSHIM

Sipas ligjeve në fuqi, çdo fëmijë që lind në territorin amerikan, qoftë edhe me prindër që ndodhen ilegalisht në vend, është automatikisht nënshtetas.

Zoti Trump dëshiron t’i japë fund kësaj politike që e ka quajtur “magnetin më të madh për imigracionin e paligjshëm”. Zonja Clinton ka thënë se ky do të ishte “drejtimi i gabuar”.

Zoti Trump dëshiron përqëndrimin e vëmendjes tek zbatimi i ligjeve amerikane që e bëjnë të paligjshme për kompanitë të punësojnë njerëz për të cilët kanë dijeni se ndodhen ilegalisht në vend. Disa shtete amerikane kanë ligje që kërkon verifikimin elektronik të dokumentave të paraqitura nga aplikantët për punë nëpërmjet të dhënave të qeverisë federale, për t’u siguruar që këta persona kanë të drejtën të punojnë në mënyrë të ligjshme. Zoti Trump dëshiron që ky sistem të përdoret në të gjithë SHBA-në, jo vetëm për “të mbrojtur vendet e punës së amerikanëve”, por edhe për të parandaluar që personat pa dokumenta të përfitojnë nga programet sociale qeveritare.

VIZITORËT QË SHKELIN AFATIN E VIZAVE

Në muajin qershor, Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se rreth 355 mijë persona që hynë në SHBA me viza, qëndruan më gjatë në vend.

Që nga vitit 1994, Kongresi ka bërë thirrje për një sistem më të mirë të kontrollit të personave që hyjnë dhe dalin nga vendi dhe për t’iu mundësuar autoriteteve ligjzbatuese që të kontrollojnë më mirë ata që shkelin afatin e vizave.

Zoti Trump kërkon një sistem kontrolli më të fuqishëm, si dhe ndëshkime penale për njerëzit që nuk largohen kur u ka mbaruar viza. Për momentin, ekzistojnë vetëm ndëshkime civile, të cilat përgjithësisht ndëshkojnë shkelësit duke ua ndaluar hyrjen sërish në SHBA për disa vite me radhë, në varësi të gjatësisë së periudhës që kanë qëndruar përtej afatit të vizës.

PARTITË KANË DALLIME PËR RËNDËSINË E IMIGRACIONIT

Disa anketime të fundit tregojnë se rreth 8% e votuesve të regjistruar e konsiderojnë imigracionin të rëndësishëm, shumica e tyre republikanë.

Kjo ndasi u duk edhe në një anketim të institutit Pew, i cili i pyeste njerëzit nëse është imigracioni “një problem shumë i madh” në Shtetet e Bashkuara. 66% e mbështetësve të zotit Trump u përgjigjën ‘po’, krahasuar me 17% të mbështetësve të zonjës Clinton.

XS
SM
MD
LG