Lidhje

Rritet numri i vdekjeve të emigrantëve


Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) thotë se një mesatare prej 20 emigrantësh vdiqën çdo ditë në përpjekje për të emigruar gjatë vitit 2016 – numër shumë më i lartë në krahasim me vitet e kaluara.

Sipas raportit të lëshuar të premten nga IOM, më shumë se gjysma e afro 7,200 vdekjeve të numëruara këtë vit kanë ndodhur në Detin Mesdhe në rrugë për në Greqi, Itali, Qipro dhe Spanjë.

IOM thotë se shtimi i madh i vdekje në Mesdhe tërheq veçanërisht vemendjen, sepse numri i përgjithshëm i ardhjeve të emigrantëve në Evropë ka rënë ndjeshëm që nga viti i kaluar - nga 883,393 në vitin 2015 në 357,249 këtë vit.

Por numri i vdekjeve të migrantëve në Amerikën Qendrore, në rajonin kufitar Shtetet e Bashkuara - Meksikë, dhe në Afrikën jugore dhe veriore ka tejkaluar shifrat e vdekje të ndodhura në vitet e mëparshme. Organizata Ndërkombëtare për Migrim regjistroi në numër të përgjithshëm prej 5,740 emigrantë të vdekur apo të zhdukur në vitin 2015, dhe 5267 në vitin 2014.

IOM vlerëson se deri në 300 emigrantë më shumë mund të vdesin deri në fund të këtij viti, nëse këto prirje vazhdojnë, por gjithashtu thekson se është vështirë të përcaktohet numri i saktë. Një korrigjim i raportit tashmë është bërë për numrin e vdekjeve në Mesdhe që prej mbrëmjes së të enjtes, duke cituar informacion se edhe 88 persona mund të kenë humbur pasi një anije mendohet të jetë fundosur pranë brigjeve të Libisë.

XS
SM
MD
LG