Organet e rendit njoftojnë se një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën të enjten në mbrëmje në Reçicë të Vogël të Tetovës. Por, nuk dihen hollësitë dhe motivet e këtij incidenti që ka ndodhur në afërsi të selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim në spitalin e Tetovës dhe në Klinikën universitare të Shkupit.
Policia njofton se ka ndaluar dy persona të dyshuar për sulmin me armë zjarri ndërkohë që është vënë në ndjekje të një makine.
Burime jozyrtare thonë se viktima dhe dy të plagosurit janë nga Kumanova.
Në rrjetet sociale dhe nëpër disa gazeta e portale në gjuhën shqipe thuhej se pjesëmarrësit në këtë incident ishin aktivistë të BDI-së, por partia shqiptare në pushtet i hodhi poshtë këto njoftime.
BDI-ja përmes një komunikate përgënjeshtron “çdo informacion lidhur me atë se sot në Bashkimin Demokratik për Integrim ka patur përleshje apo incident.”
“Ne si subjekt politik nuk kemi dhe nuk mund të kemi përgjegjësi për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe për Bashkimin Demokratik për Integrim”, thekson komunikata.
Facebook Forum