Lidhje

Incidenti në Minesota, akuzë për vrasje ndaj ish-oficeres së policisë


Ish-oficerja Kim Potter

Prokurorët akuzuan të mërkurën për vrasje të shkallës së dytë oficeren e policisë, e cila qëlloi për vdekje me armë zjarri një afro-amerikan gjatë një ndalimi në rrugë në periferi të qytetit të Mineapolisit.

Oficerja Kim Potter u vu sot nën pranga.

Ngjarja ka shkaktuar protesta disa ditore dhe rritje të tensioneve në shtetin e Minesotës. Incidenti ndodh ndërsa po në të njëjtin shtet, pak kilometra larg, po zhvillohet gjyqi ndaj një ish-oficeri policie akuzuar për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd.

Oficerja Potter dhe shefi i Policisë së Brooklyn Center Tim Gannon dhanë dorëheqjen të martën, dy ditë pasi oficerja Potter qëlloi me armë zjarri ndaj 20-vjeçarit Daunte Wright. Zoti Gannon ka thënë se ai besonte se ngjarja ishte aksidentale pasi zonja Potter kishte kapur gabimisht armën ndërsa po përpiqej të kapte paralizuesin.

Kryebashkiaku i Brooklyn Center, Mike Elliott tha në një konferencë për shtyp se përpara dorëheqjeve këshilli bashkiak i qytetit kishte marrë vendim për shkarkimin e zonjës Potter, e cila ka shërbyer prej 26 vitesh në polici. Zoti Elliott tha se ai shpresonte që dorëheqja e saj "të sillte disi qetësi në komunitet" duke shtuar se do të vazhdonte të punonte që mbi rastin të mbahej "përgjegjësi e plotë bazuar në ligj".

Ndërkohë protestat në Minesota lidhur me ngjarjen vazhdojnë. Të martën në mbrëmje policia dhe protestuesit u përleshën për të tretën natë me radhë.

Autoritetet në zonën e Mineapolisit kanë vendosur një ndalim-qarkullimi që fillon në orën 10 të mbrëmjes në një përpjekje për të shmangur protestat, por qindra njerëz u mblodhën jashtë selisë së policisë në Brooklyn Center duke kërkuar drejtësi mbi çështjen.

Policia urdhëroi turmën të shpërndahej, por mes palëve pati konfrontime me protestuesit që hidhnin sende të forta në drejtim të policisë e këta të fundit që lëshonin granata çorientuese në një përpjekje për të shpërndarë turmën.

Protestat nisën të dielën në mbrëmje pasi oficerja e policisë Kim Potter qëlloi me armë zjarri 20 vjeçarin Daunte Wright. Mjeku ligjor i qarkut Hennepin tha se zoti Wright vdiq nga një plagë me armë në gjoks dhe e klasifikoi mënyrën e vdekjes si vrasje.

Prokurorët shpresojnë që të mërkurën të arrihet në një vendim mbi ngritjen e akuzave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG