Lidhje

Një diplomat amerikan do të largohet nga Nju Delhi


Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se një diplomat amerikan do të largohet nga Nju Delhi, pas kërkesës së Indisë në lidhje me kthimin e diplomates indiane Devyani Kobragade e cila po kthehet sot në vendin e saj. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki tha sot se Shtetet e Bashkuara ndjejnë keqardhje të thellë që qeveria indiane e kishte konsideruar të nevojshme përzënien e njërit prej anëtarëve të personelit diplomatik amerikan. Zonja Psaki nuk e identifikoi diplomatin. India kishte kërkuar që Uashingtoni të tërhiqte një diplomat me ‘rang të ngjashëm’ me diplomaten indiane Kobragade, pasi Uashingtoni i dha asaj urdhër të largohej pas njoftimeve se ajo gënjeu në një aplikim vize për shërbysen e saj nga India. Kjo çështje ka shkaktuar mosmarrëveshje të thella mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.


Qeveria amerikane i kërkoi qeverisë së Indisë që të hiqte imunitetin e diplomates Kobragade. Dje, Nju Delhi nuk e pranoi një gjë të tillë dhe e transferoi diplomaten në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Nju Delhi.

Babai i zonjës Khobragade tha se hedhja poshtë e akuzave amerikane nga ana e vajzës së tij ka që në një fitore për gjithë Indinë.

“Kurdoherë që Devyani luftonte ajo mbajti lart sovranitetin e vendi të saj dhe dinjitetin e sistemit juridik. Kur asaj iu ofruan alternativa, ajo sakrifikoi rehatin e saj”.

Zonja Kobragade ka shërbyer si zv. konsulle e përgjithshme e Indisë në Nju Jork.
Autoritetet amerikane e arestuan atë muajin e kaluar.

Zëdhënësja e Departmaentit të Shtetit nuk i kushtoi rëndësi ndikimit të këtij incidenti në marrëdhëniet mes dy vendeve.

E pyetur nëse India anuloi visitën e Sekretarit amerikan të Energjisë për shkak të kësaj çështjeje diplomatike, zëdhënësja Jen Psaki tha:

“Ne ramë dakord që vizita të shtyhej për më vonë kur të dyja palët, ndoshta brënda muajve të ardhshëm, të jenë gati me një paketë më gjithëpërfshirëse”.

Në Mumbai, i jati i diplomates mori pjesë këtë javë në një demonstratë pranë konsullatës amerikane, duke bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga akuzat kundër vajzës së tij.

Zyrtarë indianë kanë hequr një farë imuniteti diplomatik për zyrtarë amerikanë në Nju Delhi dhe i kanë dhënë urdhër ambasadës amerikane që të kufizojë shërbimet në një klub të ambasadës për diplomatët.

Largimi i diplomates indiane nga Shtetet e Bashkuara mund të jetë një sinjal i uljes së tensioneve mes dy vendeve.

Dje një zyrtar amerikan në Uashington tha se Shtetet e Bashkuara kishin pranuar kërkesën e Indisë që diplomatja Kobragade të akreditohej në Kombet e Bashkuara, ku siguron një imunitet më të gjerë.

Do të ishte diçka e pashembullt nëse Shtetet e Bashkuara do të mohonin një kërkesë të tillë, nëse diplomatja nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

XS
SM
MD
LG