Lidhje

Indonezi: Gjenden mbetje që besohet të jenë të avionit të rrezuar


Avioni me 54 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u rrezua të dielën rreth gjysmë ore pas fluturimit.

Mbetje që besohet të jenë të një avioni pasagjerësh Indonezian me 54 veta në bord, është gjetur në një zonë të thepisur në provincën e Papuas. Avioni u rrëzua të dielën ndërsa fluturonte nëpër mot të lig.

Zyrtarët thanë se një avion kërkimi pikasi mbetjet të hënën dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen të shkojnë në atë zonë.

Është ende e paqartë nëse ka ndonjë të mbijetuar.

Avioni i kompanisë Trigana Air, humbi kontaktin me kontrollin ajror të dielën rreth 30 minuta pas fluturimit nga aeroporti Sentani për në kryeqytetin e krahinës Jayapura. Avioni ishte nisur në fluturimin normal 50 minutësh për në qytetin Oksibil.

Dyzetekatër pasagjerë të rritur, pesë fëmijë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit ishin në avion.

Kompania dërgoi një avion tjetër në gjurmët e fluturimit të avionit të zhdukur, poer drejtori i operacioneve, Beni Sumaryanto tha se asgjë nuk ishte zbuluar për shkak të motit të lig.

Trigana vepron në trafikun e brendshëm të Indonezisë. Ajo ka përjetuar 14 incidente të rënda që nga fillimi i operacioneve në vitin 1991 dhe është në listën e zezë të kompanive të ndaluara që të fluturojnë në hapësirën ajrore të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG