Lidhje

Indonezi, dyfishohet numri i të vdekurve nga tërmeti


Numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami në Indonezi është mëse dyfishuar, duke arritur në 832, sipas zyrtarëve indonezianë. Ndërkaq, 540 njerëz rezultojnë të plagosur,

Autoritetet thonë se presin që numri i të vdekurve të rritet. Ata kanë filluar varrimin masiv të viktimave, për të shmangur përhapjen e sëmundjeve.

Presidenti indonezian Joko Widodo shkoi të dielën në qytetin Palu, një nga qytetet e shkatërruara nga tërmeti dhe cunami që pasoi.

Ai iu drejtua trupave ushtarake të mobilizuara në atë zonë dhe u kërkoi "të jenë gati për të punuar ditë e natë".

Rreth 17,000 njerëz kanë kërkuar strehë në 24 qendra strehimi.

Në qytetin e goditur rëndë Palu shumë njerëz janë bllokuar në rrënoja dhe ende mund të dëgjohen thirrjet e tyre për ndihmë, tha një zyrtar.

Nënpresidenti i vendit Jusuf Kalla parashikon se numri i të vdekurve mund të arrijë në disa mijëra, sepse zyrtarët e kanë të vështirë transmetimin e informacionit nga zonat e largëta për shkak të ndërprerjes së energjisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG