Lidhje

Integrimi i sistemeve elektrike


Më shumë se një shekull pasi bota filloi të përdorte rrymën alternative, si sistemin kryesor të shpërndarjes së energjisë elektrike, rryma e vazhduar po kthehet në përdorim. Në sajë të teknologjisë moderne, të dy sistemet tani mund të integrohen pa probleme, duke u sjellur kursime të konsiderueshme kompanive të energjisë elektrike, si dhe konsumatorëve të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës George Putic sjell hollësitë.

Qendra e shpërndarjes Pitt Ohio Express në Pitsburg të Pensilvanisë është një objekt modern transporti që çdo ditë merret me qindra rimorkio të mëdhenj kamionësh.

Por, kjo ndërtesë është edhe një laborator eksperimental, ku inxhinierët e Universitetit të Pensilvanisë po testojnë se si mund të kombinohet sistemi i rrymës alternative me atë të rrymës së vazhduar, diçka që në të kaluarën ishte pothuajse e pamundur.

Për një kohë të gjatë, sistemi i rrymës së vazhduar, i shpikur nga Thomas Edison, kishte një disavantazh të madh.

"Kur ai fillonte të shpërndante rrymën e vazhduar në distanca të gjata mbi 1.6 kilometra, fuqia shtohej aq shumë saqë e bënte atë të pasigurtë. Për shpërndarjen e saj duheshin kabllo aq të mëdha sa që kjo metodë e furnizimit me energji elektrike nuk mund të ishte e përballueshme," thotë profesori Gregory Reed.

Rryma alternative ishte më efikase, dhe u bë forma standarde e tranportimit të energjisë elektrike në distanca të gjata. Por rryma e vazhduar ende luan një rol të madh. Ajo përdoret pothuaj në të gjitha pajisjet e përditshme elektrike.

"Shumica e pajisjeve tona elektrike në shtëpi, serverat e dhënave, sistemet e biznesit, sistemet e ndriçimit funksionojnë vetëm me tension të ulët të rrymës së vazhduar," thotë profesori Gregory Reed.

Rryma e vazhduar gjithnjë e më shumë po përdoret edhe tek makinat elektrike. Tani, për përdorimin e rrymës së vazhduar në këto pajisje nevojiten transformatorë të energjisë, një proces i cili çon në humbje të energjisë.

Në qendrën e shpërndarjes Pitt Ohio Express, rryma e alternuar vjen nga një turbinë e vogël që funksionon me erë, e cila pa probleme integrohet me rrymën e vazhduar të prodhuar nga panelet diellore.

"Ne sjellim rreth 50 kilovatë energji diellore nga çatia në këtë prizë këtu, dhe më pas rreth 5 kilovat të energjisë së prodhuar nga era përmes sistemit të konvertimit e sjellim këtu në këto bateri," thotë studiuesi Ansel Barchowsky.

Disavantazhet e transportimit në distanca të largëta të energjisë së vazhduar që e kanë bërë atë të papërdorshme në kohën e Edisonit, tani mund të tejkalohen me gjysmëpërçues elektronikë modernë, duke i sjellë kursime të konsiderueshme kompanive të energjisë.

"Ka plane për vendosjen e 40 sistemeve të tensionit të lartë me rrymë të vazhduar në mbarë Kinën," thotë profesori Reed.

Shumë çështje ende duhen zgjidhur, duke përfshirë standardizimin e tensionit, pajisjet dhe masat e sigurisë. Por, ndërkohë që rryma e vazhduar bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në jetën tonë të përditshme, studiuesit thonë se integrimi i saj me rrymën e alternuar është i pashmangshëm.

XS
SM
MD
LG