Lidhje

Inteligjencë artificiale edhe për tenisin


Këtë vit, klubi All England, premton teknologjinë e re të tij, përfshirë inteligjencën artificiale dhe të dhënat në kohë reale, çka do t’u japë tifozave përvojën më mbresëlënëse të turit që kanë pasur ndonjëherë, qofshin ata në Wimbledon apo mijëra kilometra larg.

Mijëra tifozët fatlumë që kanë bileta për në Wimbledon, do kenë mundësinë të shikojnë heronjtë e tyre në fushën e tenisit, por gjatë njëmbëdhjetë ditëve që do të vijnë, miliona të tjerë në të gjithë botën do ta ndjekin turneun përmes ekranit.

Larg shkëlqimit verbues të rrezeve të diellit, fushat e lojës dhe turmat e tifozëve janë dhomat teknologjike të IBM-së, ose të ashtuquajturit bunkerë.

Pjestarë të stafit shikojnë, ndjekin dhe gjurmojnë çdo lëvizje të thuajse çdo lojtari.

Kompjuterët po analizojnë pjesëmarrjen e tifozave në lidhje me emocionet e tyre nga gara apo zhgënjimet.

Shumë të dhëna po grumbullohen, në mënyrë që Wimbledoni të krijojë profilin e lojtarit më të mirë të tenisit, duke pasur parasysh si psikologjinë ashtu dhe aftësitë në fushë.

Wimbledoni i ka përdorur për herë të parë kompjuterët në turneun e 28 viteve më parë.

Sam Seddon nga IMB-ja thotë: “E filluam gjithçka me një objektiv shumë të thjeshtë për të futur në titra disa statistika të tenisit. Por, kjo u shndërrua shumë shpejt në diçka që tifozët e presin si të mirëqenë dhe tani po përdorim inteligjencën artificiale për të na ndihmuar që të shpërndajmë të dhëna të ndryshme rreth ndeshjes te tifozët. Ndryshimet kanë qenë të një shkalle astronomike”.

Këtë vit kompania ka krijuar në bashkëpunim me Wimbledonin një aplikacion të quajtur Ask Fred, që emrin e ka marrë nga lojtari i njohur i tenisit dhe kampioni i Wimbledonit, Fred Perry.

Tifozët mund ta përdorin aplikacionin për të gjetur fushën e lojës, ku janë tualetet etj. Synimi së ardhmes është që tifozët të marrin informacione të detajuara për çdo pikë të shënuar nga lojtari i tyre i parapëlqyer, pa qenë e domosdoshme të ulen pranë fushës.

Programi do t’u japë gjithashtu mundësi të angazhohen me ndeshje që u pëlqen të shikojnë dhe kjo do të jetë gjëja më emocionuese.

Stephen Hammer është shefi i teknologjisë.

“Pra, do shkoj te kjo videoja këtu dhe do analizojmë volumin në përmbajtje si një filtër paraprak për të na ndihmuar të kuptojmë elemente të rëndësishme. Identifikimi i gjesteve është diçka tjetër që ne po e mbajmë nën vëzhgim, duke kërkuar për shenja fizike të lojtarit që mund të tregojnë gëzimin pasi kanë shënuar një pikë, si fjala bie, ngritja e duarve lart, shkundja në ajër e grushtit dhe gjëra të kësaj natyre. Por, edhe njerëz që bëjnë tifozllëk. E përgatisim sistemin që të kapë gjëra të kësaj natyre, çka na ndihmon të identifikojmë momente kulminante gjatë ndeshjes”, thotë ai.

Në fushën kryesore të Wimbledonit, ish-lojtarë profesionistë, janë angazhuar të japin të dhëna në kohë reale sa u përket aspekteve të ndryshme të ndeshjes, duke e ushqyer kësisoj kompjuterin Watson me qindra fakte në minutë.

Wimbledoni dëshiron të bëhet më tërheqës për tifozët në të ardhmen.

Teknologjia do t’u krijojë mundësinë edhe atyre që e ndjekin lojën nga ekrani mijëra kilometra larg Wimbledonit që të shikojnë gjithçka ndodh si në fushë, ashtu edhe në stërvitje, ku faktikisht deri më sot publiku e ka pasur të ndaluar të futet.

Alexandra Willis, drejtoresha e komunikimeve dixhitale e klubit të tenisit All England, thotë: “Shpresojmë që krijimi i një përvoje mbresëlënëse të ndihmojë këdo që ta kuptojë Wimbledonin pak më mirë. Kështu ata do duan të kthehen sërish, të mësojnë më shumë, të hulumtojnë përmes statistikave dhe të dhënave që kanë mbledhur. Një shembull i përsosur i kësaj është përfshirja e fushave në një teknologji 360 gradë, që u jep më shumë mundësi tifozëve të eksplorojnë. Ata mund të shikojnë se kush po stërvitet dhe u jepet për herë të parë mundësia të shikojë një pjesë që nuk kanë pasur mundësi ta shikojnë më parë”.

Turneu mbyllet në 16 korrik, me ndeshjen finale të meshkujve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG