Lidhje

Interesat ekonomie në marrëdhëniet e Egjiptit me Shtetet e Bashkuara


Tensionet politike mes Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara duket se po qetësohen, pasi Egjipti hoqi ndalimin mbi udhëtimet për 7 aktivistë amerikanë për demokraci. Korrespondentja Elizabeth Arrott njofton nga Kajro se interesat ekonomike duket se kanë qenë vendimtare në zgjidhjen e tensioneve.

Pavarësisht se cilat ishin përfitimet politike që kërkonin të realizonin udhëheqësit egjiptianë përmes valës anti-antiamerikane, kjo valë solli një ballafaqim me realitetin ekonomik.

Zyrtarët amerikanë u zotuan të ndërpresin ndihmat për Egjiptin pasi 7 aktivistë amerikanë u akuzuan për operacione të paligjshme dhe nuk u lejuan të largohen nga vendi. Këtë javë Egjipti u tërhoq nga vendimi i mëparshëm, duke hequr kufizimet mbi lëvizjen e aktivistëve. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se pret që çështja të zgjidhet.

Ky ndryshim pasqyron nevojat praktike të të dyja palëve. Pas më shumë se 30 vjetësh, aleanca amerikane me Egjiptin mbetet një element i rëndësishëm i politikave amerikane në Lindjen e Mesme, megjithë shqetësimet për qëndrimin e Egjiptit ndaj parimeve demokratike. Aktualisht udhëheqësit e rinj të Egjiptit ndeshen me një sfidë madhore ekonomike.

Amira Ahmed është redaktore për të përditshmen Egypt Daily News.

“Egjipti ka nevojë për kesh sa më parë që të jetë e mundur. Ka një deficit në rritje dhe rezervat e valutës së huaj po shterojnë. Këto rezerva kanë rënë në 16 miliardë dollarë dhe vendi ka nevojë për fonde sa më parë të jetë e mundur”.

Shtetet e Bashkuara i japin Egjiptit ndihma vjetore me vlerë 1.6 miliardë dollarë, pjesërisht si shpërblim për traktatin e paqes me Izraelin në vitin 1979. Pjesa më e madhe, 1.3 miliardë dollarë nga kjo shumë, përdoret për furnizimin e ushtrisë dhe shpenzohet kryesisht për blerje të armatimeve amerikane. Egjiptianët e thjeshtë shohin shumë pak rezultat nga kjo ndihmë, gjë që reflektohet edhe në një anketë të fundit nga organizata Gallup, ku shumica e egjiptianëve shprehen se nuk duan më ndihma.

Ndërkohë, sundimtarët ushtarakë të Egjiptit po ndeshen me protesta të vazhdueshme kundër ritmeve të ngadalta të kalimit të pushtetit në duart e një regjimi civil. Autoritetet aktuale në Egjipt përpiqen t’u kundërvihen këtyre kritikave duke fajësuar ‘elementët e huaj’ për problemet e Egjiptit. Vëzhguesit politikë thonë se gjykimi i aktivistëve për demokraci duket se është një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen, duke u përqendruar tek krenaria kombëtare.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Egjiptiane për Studime Ekonomike, Magda Kandil thotë se ndihmat e huaja luajtën rol në kalkulimet politike:

“Nëse popullata do ta kishte ndjerë vlerën e ndihmave, nuk do të kishte reaguar me kaq indiferentizëm”.

Zonja Kandil flet për nevojën e ristrukturimit të ndihmave amerikane. Por ajo mendon gjithashtu se popullata ishte përgjithsësisht e painformuar për ndihmat. Ndihma e Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së tranzicionit ishte më e gjerë se paketa e ndihmave: zonja Kandil nënvizon diskutimet për anulimin e borxhit dhe ristrukturimin e lidhjeve ekonomike si dhe forcimin e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve.

Gatishmëria për të rrezikuar ndihmat e huaja u duk qartë në fillimet e tranzicionit, kur sundimtarët ushtarakë kundërshtuan vjet një kredi prej 3.2 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, një hap i marrë me synimin për të nxitur krenarinë kombëtare.

Por në janar, siç vë në dukje redaktorja Ahmed, kur qeveria po ndeshte në vështirësi për të përmbushur shërbimet bazë dhe në kushtet e një papunësie në masë, udhëheqësit ndërruan qëndrim dhe pranuan kredinë e FMN-së.

Ekonomistja Kandil beson se ndikimi i ndihmave amerikane dhe të FMN-së ishte tepër i madh dhe nuk mund të injorohej. Grupe të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Bankën Botërore dhe Bankën për Zhvillim Afrikan, kanë pritur për finalizimin e këtyre marrëveshjeve para se të angazhohen me ndihmat e tyre.

“Mendoj se në të dyja rastet, problemi qëndron tek mungesa e informimit për realitetin ekonomik dhe nevojën për fondet e FMN-së, jo vetëm thjesht nga pikëpamja e parave, por edhe rëndësia që ka fakti se FMN-ja po jep aprovimin e saj”.

Diskutimet për dy paketat e ndihmave si dhe ndihmave të tjera vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG