Lidhje

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, shqetësim për martesën në fëmijëri


Sot, më 11 tetor, është Dita Ndërkombëtare e Vajzave. Me këtë rast është publikuar një raport i përbashkët i Organizatës “Save the children” dhe i Bankës Botërore. Sipas raportit, çdo ditë në 4 sekonda 1 vajzë nën moshën madhore martohet në mënyrë të paligjshme, ose e thënë ndryshe, çdo ditë në botë martohen në mënyrë të paligjshme, 20 mijë vajza nën moshën 18 vjeçare.

Në raport përmendet rasti kur një vajzë 12-vjeçare u përdhunua nga kushëriri i saj dhe tezja e saj e detyroi vajzën të martohej paskësaj me kushëririn.

“Unë qaja ndërsa kryhej rituali i martesës, - kujton vajza 12-vjeçare – Tezja më tha të bëja çfarë më thoshte burri”. Burri i saj ishte 23 vjeç.

Martesa e vajzave nën moshën madhore përbën shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe një formë të dhunës ndaj vajzave, thuhet në raportin e Organizatës “Save the children” dhe të Bankës Botërore.

Vajzat dhe djemtë që martohen nën moshën 18-vjeçare nuk janë gati për martesë, seks, apo riprodhim, thuhet në raport. Rrallëherë ata përfundojnë shkollën e mesme.

Shpesh martesat nën moshën madhore ndodhin mes një vajze të re dhe një burri më të moshuar, pa marrë pëlqimin e vajzës.

Shumica e vendeve të botës kanë caktuar moshën minimale ligjore 18 vjeçare për martesën, por disa qeveri e kanë të vështirë ta zbatojnë ligjin, për shkak të traditave kuturore dhe ligjeve fetare.

Çrrënjosja e martesës nën moshën madhore deri në vitin 2030, është një nga pikësynimet e Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të ndryshme të botës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG