Lidhje

Francë: hetim për zhdukjen e kreut të Interpol-it


Policia franceze ka hapur një hetim për zhdukjen e kreut të Interpol-it me kombësi kineze, Meng Hongwei.

Policia u njoftua nga bashkëshortja e tij, e cila jeton në Lion, ku ndodhet selia qëndrore e organizatës ndërkombëtare të policisë. Në fund të shtatorit Meng Hongwei ishte nisur për në Kinë dhe prej atij momenti nuk është bërë më i gjallë.

Ministri frances i Punëve të Brendshme tha se familja e kreut të Iterpol-it nuk ka patur asnjë kontakt me të prej 25 shtatorit. Sipas tij autoritetet franceze vazhdojnë të shkëmbejnë informacione me autoritetet kineze lidhur me zhdukjen e tij.

64 vjeçari, një ish-zëvendës Ministër i Sigurisë Publike në Kinë, u zgjodh për të drejtuar Interpolin në nëntor të vitit 2016 për një mandat katërvjeçar. Ai është i pari zyrtar kinez që mban këtë post.

Në biografinë e tij publikuar në faqen e internetit të Interpolit thuhet se Meng Hongwei ka një përvojë 40 vjeçare në fushën e drejtësisë penale dhe në polici, gjatë së cilës është marrë me çështje që lidhen me institucionet ligjore, luftën ndaj drogës e terrorizmit, kontrollin e kufirit, çështje që lidhen me imigracionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG