Lidhje

Interpoli zbulon ushqime të paligjshme


Interpoli thotë se nga inspektimet e ngarkesave ushqimore gjatë një periudhe katër mujore, janë zbuluar mbi 10 mijë tonë ushqime dhe një milion litra pije të paligjshme të fallsifikuara dhe toksike.

Zbulimet në 57 vende të ndryshme të botës përfshijnë sheqer sudanez të përzier me pleh kimik dhe 85 tonë vaj ulliri italian të përzier me sulfat bakri për të përmirësuar ngjyrën. Artikuj të tjerë përfshijnë 10 mijë litra pije alkoolike të fallsifikuara, mjalt dhe pula të trajtuara me kimikate të ndaluara.

Në Greqi, u zbuluan tre fabrika që prodhonin alkool të falsifikuar si dhe pajisje për prodhimin e etiketave fallco dhe shisheve boshe, si dhe rreth 7 mijë e 400 shishe me pije alkoolike dhe etiketa fallco.

Inspektimet janë kryer mes periudhës nëntor 2015 dhe shkurt 2016 nga policia, zyrtarët e doganave dhe organet regullatore në dyqane, tregje, porte dhe zona industriale. Interpoli tha se këto ishin sasitë më të mëdha të mallrave të paligjshme të kapura që kur ka filluar inspektimi i koordinuar mes agjencive pesë vjet më parë.

Agjencia ndërkombëtare e policisë tha se mallrat ushqimore të fallsifikuara janë një industri disa miliarda dollarëshe që mund të përbëjnë rreziqe serioze shëndetësore për konsumatorët.

Një numër arrestimesh janë bërë në mbarë botën përmes këtij operacioni dhe Interpoli tha se hetimet po vazhdojnë në përpjekje për të identifikuar dhe ndërprerë rrjetet e krimit të organizuar që fshihen pas trafikimit të ushqimeve fallco.

XS
SM
MD
LG