Lidhje

Ipad, diçka mes kompjuterit dhe telefonit celular


Së shpejti përdoruesit e produkteve Apple do të kenë rastin të shtien në dorë krijimin e ri të kësaj kompanie, IPad-in. Kur u prezantua për herë të parë para përdoruesve, IPadi u identifikua si kategoria e tretë e produkteve portative, pra diçka mes kompjuterit dhe telefonit celular. Ipadi hidhet në treg me çmimin 499 dollarë, por shumë analistë të tregut elektronik thonë se zhurma e madhe nuk e fsheh dot faktin që s’është tjetër veçse një Iphone më i madh dhe më i shtrenjtë:

IPadi nuk është as telefon, as laptop, por një kategori e re. Kjo pajisje ka një ekran ku mund të lexosh libra, të shohësh video dhe të bësh kërkime në internet.

“Duhet të kuptojmë se IPAdi është thjesht një Iphone i mitizuar. Nuk ka tastierë, pra çdo veprim kryhet në ekran. Ipadi bazohet në suksesin e jashtëzakonshëm që ka pasur Iphoni.”

Ipadi ka një trashësi prej rreth 12 milimetrash ka përmasa më të mëdha se IPhoni, por është i ngjashëm në fuksione. Ai peshon rreth 680 gramë dhe ka një ekran me diametër afro 25 centimetra.

IPadi punon me një bateri që zgjat 10 orë dhe mund të zgjasë një muaj pa karikim kur është në gjendje jo funksionale.

Ben Bajarin, drejtor i Teknologjisë për Konsumatorët pranë kompanisë Creative Strategies thotë se mund të duhet pak kohë para se Ipadi të bëhet një produkt me përdorim të gjerë:

“Ka plot njerëz që do të presin të kontrollojnë përmes internetit se çfarë thonë përdoruesit e tjerë, apo kritikët e industrisë. Konsumatorët do të shkojnë fillimisht në dyqane, të shohin se çfarë bën IPadi. Fillimisht do të jenë përdoruesit në zonat e mëdha metropolitane që mund ta blejnë, pasi ata kryesojnë në prirjet e reja teknologjike.”

Programet e krijuara për IPhonin mund të funksionojnë edhe në IPad. Pra mund të përdorësh kalendarin, hartën aktive, dhe të shohësh video e të dëgjosh muzikë. IPadi do të ketë edhe 12 funksione të reja që janë projektuar specifikisht për këtë pajisje. Por mos prisni ta përdorni si kompjuterin e zakonshëm:

“Asnjë nga programet që funksionojnë në kompjuterin MacBook nuk funksionojnë në IPad. Për shembull programi i manipulimit të fotografive, Photoshop, apo programi Creative Suites. Pra njerëzit duhet ta kuptojnë se nuk po blejnë kompjuter.”

Një sektor i rëndësishëm i industrisë ku mund të konkurojë IPadi, është ai i librave elektronikë, duke marrë një pjesë të tregut nga pajisja Kindle. Por kritikët thonë se IPadi ka ekran dhe rezolucion jo shumë të përshtatshëm për lexime të gjata dhe për momentin Kindle do të mbetet i paprekshëm.

Aktualisht konsumatori i thjeshtë nuk është bindur për avantazhin e IPadit, i cili shihet thjesht si një Iphone, më i shtrenjtë dhe më i rëndë:

“Reagimi im i parë është – duket si IPhone. Është pak a shumë si ato skeçet, kur sheh njerëz që flasin me zë shumë të lartë në celularë gjigandë. Por faktikisht nuk e shoh si një pajisje praktike. Nëse përdor ato aplikime që kishe në IPhone, atëherë mjafton të kesh IPhonin.”

Kompania Apple do të duhet të bëjë reklamë të madhe për të bindur konsumatorët për vlerën e kësaj pajisjeje të re që nuk duket se ofron gjë të re. IPadi hidhet në treg këtë të shtunë.

XS
SM
MD
LG