Lidhje

Irak, ushtria rimerr pikë-kalimin


Pamjet e transmetuara sot nga televizioni shtetëror irakian tregojnë forcat irakiane përsëri në kontroll të një pikë-kalimi kufitare me Jordaninë, një javë pasi ajo ishte marrë nga militantët suni.

Në pamjet televizive duken forcat e sigurisë me armët në ajër dhe me flamuj në duar përpara një tabele që tregon se ato ndodhen në pikë-kalimin kufitar Turaibil me Jordaninë.

Avionët luftarakë irakianë kryen sulme ajrore gjatë natës në qytetin verior Tikrit, në përpjekje për të rimarrë kontrollin nga militantët suni që kanë deklaruar formimin e një shteti islamik në zona të gjera të Irakut dhe Sirisë.

Luftimet vazhduan edhe sot në Tikrit, një nga disa qytetet ku militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit – ISIL, janë tashmë në kontroll, që nga fillimi i qershorit.

Dje, një zëdhënës i ISIL-it tha në një deklaratë audio të publikuar në internet se shefi i këtij grupi, Ebu Bekr el-Bagdadi, është tani kreu i një kalifati të ri - term historik që përdoret për të treguar një shtet sovran për besimtarët myslimanë.

Ai tha gjithashtu se me krijimin e kalifatit, grupi ka ndryshuar emrin, duke u quajtur thjesht Shteti Islamik, pa fjalët Irak dhe Levant.

Analisti irakian, Ihsan al-Shamari, thotë se një kalifat i tillë nuk do të gjejë ndonjë mbështetje në botë.

"Unë mendoj se deklarata e krijimit të një shteti të ri islamik nuk do të ketë shumë jehonë, qoftë në Irak apo jashtë vendit. Njoftimi u bën thirrje të gjithë muslimanëve për të deklaruar besnikëri ndaj Abu al-Baghdadit si një kalif për muslimanët. Kjo çështje është e lidhur me doktrinat dhe ideologjitë dhe nuk do të gjejë mbështetje në botë," thotë analisti.

Deklarata e së dielës, e bërë në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit, mund të shkaktojë grindje të brendshme midis fraksioneve militante suni, që formuan një aleancë pa udhëheqje të centralizuar në një kryengritje, gjatë së cilës ata morën territore të mëdha të Irakut.

Ekstremistët myslimanë prej kohe kanë ëndërruar të rikrijojnë shtetin Islamik, ose kalifatin, që qeveriste në forma të ndryshme Lindjen e Mesme, një pjesë të mirë të Afrikës së Veriut dhe territore të tjera gjatë historisë 1,400 vjeçare të Islamizmit.

XS
SM
MD
LG