Lidhje

Luftime të ashpra për kontrollin e Falluxhas


Forcat qeveritare irakiane dhe grupe të armatosura fisnore po luftojnë kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, një grup që ka lidhje me al-Qaidën dhe që ka marrë nën kontroll disa pjesë të dy qyteteve në provincën Anbar me shumicë suni.

Ushtarë të qeverisë irakiane dhe aleatët e tyre nga milicitë fisnore vazhduan betejën për kontrollin e qytetit strategjik të Falluxhas në Provincën Anbar, duke ndërmarrë sulme me artileri të premten dhe dje. Media arabe njofton se ka pasur viktima të reja nga sulmet dhe shkëmbimet e zjarrit në qytet. Dëshmitarët njoftuan se pjesa më e madhe e qytetit mbetet në duart e ekstremistëve të grupit Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë që ka lidhje me al-Qaidën.

Udhëheqësi fisnor Ahmed Abou Risheh i tha televizionit al-Arabiya se luftëtarët e tij po luftonin përkrah trupave qeveritare dhe se ushtria kontrollon aktualisht gjysmën e qytetit të Ramadit – qyteti më i madh në provincën Anbar. Abou Risheh, i cili bën pjesë në grupin Sahwa, që luftoi përkrah trupave amerikane kundër ekstremistëve islamikë nga 2006-2011, këmbëngul se luftëtarët e tij do të përleshen me ekstremistët e al-Qaidas kudo që të jetë e nevojshme.

Gjendja humanitare në Falluxha po përshkruhet si shumë e rëndë nga një numër dëshmitarësh. Kryetari i Parlamentit irakian Ousama Nujeify i bëri thirrje Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe të dërgojnë ndihma për banorët e Falluxhas.

Një banor i qytetit i tha një televizioni irakian se ai me familjen po ndeshnin vështirësi të shumta, veçanërisht që kur ekstremistët hodhën në erë disa central energjie, duke ndërprerë furnizimin me drita.

Ai thotë se furnizimet ushqimore mungojnë dhe gjendja po bëhet kritike. Shpresoj, thotë ai, që së shpejti gjendja të normalizohet.

Një djalë i ri me një fëmijë të vogël ankohet se nuk ka furnizime të mjaftueshme me ushqime me artikuj të tjerë të domosdoshëm.

Ai thotë se fëmijët janë të trembur nga goditjet e artilerisë. Cmimet e ushqimit, shton ai, po rriten së tepërmi dhe ka mungesa në artikuj të dëmosdoshëm si karburant, gaz natyror dhe bukë.

Kanale satelitore arabe njoftuan se ekstremistë pro-al-Qaidës zhvilluan luftime me forca qeveritare edhe pranë burgut famëkeq Abu Graib pranë Bagdatit, në përpjekje për të liruar të burgosur islamikë. Helikopterë luftarakë njoftohet se bombarduan pozicionet e ekstremistëve për t’i sprapsur.

Ndërkaq, kryeministri, Nouri al-Maliki paralajmëroi vendet arabe, pa përmendur në veçanti ndonjë vend, të mos ndihmojnë ekstremistët, përndryshe do të përfshihen edhe vetë nga zjarri i terrorizmit.

Ai u thotë fqinjëve të Irakut se zjarri që ndezin në Irak do të përhapet në tokën e tyre.

Zoti Maliki u bëri thirrje të gjithë irakianëve të mbështesin qeverinë dhe forcat e armatosura irakiane duke këmbëngulur se “shumë banorë të Provincës Anbar kanë kërkuar dislokimin e ushtrisë në territorin e tyre”. Banorët e Provincës Anbar, në shumicë dërrmuese të përkatësisë etnike suni, janë mbërthyer në një betejë me kryeministrin, pasi forcat qeveritare bastisën një kamp protestuesish në Ramadi javën e kaluar. Forcat irakiane sulmuan edhe një kamp në qytetin Hawija në prill të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG