Lidhje

Zgjedhjet në Irak, fillon numërimi i votave


Numërimi i votave filloi menjëherë në qendrat e votimit dje në Irak. Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se mbi 50% e votuesve të regjistruar dolën në votime, pavarësisht nga sulmet e djeshme që lanë të paktën 12 të vdekur.

Kreu i qendrës së votimit në lagjen Karrada të Bagdatit përshkruan procesin e numërimit të votave. Pajisjet elektronike për të kontrolluar votuesit u mbyllën automatikisht në të njëjtën kohë në qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Vëzhgues nga Lidhja Arabe dhe Bashkimi Evropian ishin të pranishëm në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, së bashku me votues nga organizata lokale joqeveritare. Këto ishin zgjedhjet e para parlamentare në Irak që nga 2010 dhe të parat që pas tërheqjes së trupave amerikane në dhjetor 2011.

Pavarësisht nga dhuna sektare dhe tensionet mes komuniteteve shiite dhe suni, votimi u zhvillua normalisht në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të provincës Anbar me shumicë suni, një pjesë e së cilës është nën kontrollin e kryengritësve suni.

Një vëzhgues i Bashkimit Evropian përshkruan votimin për televizionin shtetëror irakian.

Ai thotë se çdo gjë shkoi normalisht. Vëzhguesi vë në dukje se ishte hera e parë që përdoreshin skaner elektronike dhe se sot do të kryhet numërimi elektronik.

Në shumë qendra votimi, mbi 50 për qind e elektoratit doli për të votuar, siç njofton një anëtar i komisionit zgjedhor në provincën Babil.

Ai thotë se votimet ishin thuajse një festë dasme. Sipas tij, 42 për qind e zgjedhësve votuan para mesditës dhe mbi 55 për qind kishin marrë pjesë brenda afatit për votim.

Shefi i sigurisë për Bagdatin Sa'ad Ma'an tha gjatë votimit se procesi po ecte mirë në shumicën e zonave, pavarësisht nga një sulm vetëvrasës në Mosul. Pesë ushtarë u plagosën në një tjetër sulm vetëvrasës dhe ekstremistët hodhën në erë një qendër votimi në veri të Bagdatit. Një barazh me predha mortajash u njoftua në disa pika.

Në prag të zgjedhjeve, sulmet me bomba dhe akte të tjera dhune lanë mbi 65 të vdekur. Kryeministri Nouri al-Maliki, i cili votoi dje herët në hotelin Rasheed në Bagdat, u kishte bërë thirrje irakianëve të merrnin pjesë në masë.

Pavarësisht nga rezultati, kryetari i Parlamentit Osama Nujeifi tha për televizionin Al Arabiya se koalicioni i tij nuk kishte në plan të formonte aleancë me zotin Maliki, si rezultat i “përvojave të mëparshme negative me kryeministrin”.

Gjatë zgjedhjeve të 2010, partia e zotit Maliki fitoi 89 vende në parlamentin me 338 anëtarë, ndërsa rivali i tij Iyad Allawi mori 91 vota. Por zoti Maliki formoi qeverinë pas një seri aleancash në favor të tij.
XS
SM
MD
LG