Lidhje

Irak: Zgjedhje parlamentare


Nuri al-Maliki
Nuri al-Maliki
Irakianët po votojnë sot në zgjedhjet e para të përgjithshme në vend që nga tërheqja e trupave amerikane në vitin 2011. Kohët e fundit në Irak ka pasur dhunë të ashpër, me shpërthime e sulme me armë të cilat mendohet se synojnë të prishin procesin politik.

Qendrat e votimit u hapën nën masa të forta sigurie, ndërsa votuesit zgjedhin kandidatët për parlamentin me 328 vende.

Kryeministri Nuri al-Maliki po kërkon një mandat të tretë, por zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur Iraku po përjeton dhunën më të ashpër që nga viti 2008.

Pasi hodhi votën e tij, zoti al-Maliki foli para gazetarëve:

"Me këtë rast u bëj thirrje të gjithë irakianëve që të shkojnë në qendrat e votimit dhe të marrin pjesë në masë në këto zgjedhje, sepse ata që do të marrin pjesë do të kenë të drejtë për të monitoruar dhe për të bërë pyetje, ashtu sikundër ata që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje nuk do ta kenë këtë të drejtë. Unë dua që asnjë qytetar të mos e humbasë të drejtën për monitorimin e zgjedhjeve. Dëshiroj të shoh një pjesëmarrje të gjerë dhe do Zoti do të festojmë zgjedhje të suksesshme dhe të mposhtim terrorizmin dhe ata që synojnë shtyrjen e zgjedhjeve."

Të dhënat nga Kombet e Bashkuara dhe zyrtarët lokalë tregojnë për të paktën 7 mijë e 800 civilë të vrarë vitin e kaluar, me rreth 2 mijë e 600 të tjerë të vrarë gjatë tre muajve të parë të vitit 2014.

Shpërthimet e shpeshta dhe sulmet me armë ende vazhdojnë, duke përfshirë ato të se hënës dhe së martës, që vranë të paktën 65 njerëz.

Askush nuk mori përgjegjësi për ato sulme, por militantët suni janë akuzuar për akte të ngjashme në përpjekje për të prishur procesin politik.

Analistët thonë se gjasat janë që votuesit të zgjedhin në linja sektare dhe etnike dhe nuk pritet që ndonjë parti e vetme të mund të fitojë shumicën.
XS
SM
MD
LG