Lidhje

Marrëveshja bërthamore me Iranin


Presidenti amerikan Barack Obama ka siguruar një fitore të pjesshme për marrëveshjen bërthamore me Iranin, pasi kolegët e tij demokratë në Senat bllokuan një votim kundërshtues të shumicës republikane. Kjo masë mendohet se do të jetë më e vështirë për t’u ndërmarrë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku kryetari është zotuar ta refuzojë marrëveshjen.

“Marrëveshja është më e keqe se çdo gjë që mund të kisha imagjinuar vjet. Anëtarët e kongresit do të votojnë me përgjegjshmëri,"- tha John Boehner, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Tani për tani, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e kanë lënë mënjanë një rezolutë kundërshtuese.

Zoti Boehner thotë se ata po shqyrtojnë edhe ngritjen e një padie ndaj Presidentit për mosdorëzimin në Kongres të tekstit të marrëveshjeve dytësore ndërmjet Iranit dhe Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), duke argumentuar kështu se periudha 60-ditore për shqyrtimin e marrëveshjes as nuk ka filluar ende.

Por, Shtëpia e Bardhë thotë se koha që ka Kongresi në dispozicion për të shqyrtuar marrëveshjen po kalon:

“Roli i Kongresit në këtë rast nuk është miratimi i marrëveshjes, por ata kanë në thelb 60 ditë kohë për të ‘çpuar’ më tej, dhe nëse votimi shkon siç e mendojmë, mundësia e Kongresit për të luajtur këtë rol mbaron javës që vjen. Ky do të jetë një zhvillim pozitiv dhe komuniteti ndërkombëtar do të mundet të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes.”

Megjithëse meritat e marrëveshjes me Iranin janë ende duke u debatuar, ligjvënës nga të dyja palët bien dakort se marrëveshja bërthamore mendojnë se do të jetë ndoshta çështja më e rëndësishme me të cilën do të merren ndonjëherë.

XS
SM
MD
LG