Lidhje

SHBA: Zbutja e sanksioneve varet nga Irani


Një zyrtare e lartë amerikane tha se lehtësimi i kufizuar i sanksioneve ndaj Iranit është i mundur në qoftë se Teherani ndërmerr hapa për ndërtimin e një besimi që të mund të ulë shqetësimet rreth programit të tij bërthamor. Por Nën-Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman shtoi se masat kryesore duhet të mbeten në fuqi deri sa të jenë trajtuar të gjitha çështjet.

Nën-Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike Wendy Sherman i tha dje një komisioni të Senatit se çdo angazhim diplomatik me Iranin do të shoqërohet me "zbatim të plotë të sanksioneve" në fuqi.
Ajo tha se sanksionet ekonomike e kanë detyruar Teheranin të ulet në tryezën e bisedimeve.

"Njëzet e tre ekonomi të botës janë bashkuar duke pakësuar në mënyrë të konsiderueshme ose duke hequr dorë krejtësisht nga blerja e naftës iraniane. Gjatë 24 muajve të fundit, vlera e rialit ka rënë me rreth 60 për qind, ndërkohë që qasja e Iranit ndaj sektorit financiar ndërkombëtar në pjesën më të madhe ka qenë e ndërprerë."

Zyrtarja e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit tha para komisionit të Senatit për Marrëdhëniet e Jashtme se lehtësimi i kufizuar i sanksioneve për Iranin do të jetë i mundur nëse vendi ndërmerr hapa për të ulur shqetësimet rreth programit të tij bërthamor. Nën-Sekretarja e Shtetit Sherman tha se masat ndëshkuese kryesore duhet të mbeten në fuqi deri në trajtimin e të gjitha çështjeve me Iranin.

Por ndërsa masat e ashpra deri tani kanë qenë të efektshme, mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane e ka detyruar Departamentin e Thesarit të funksionojë pa shumicën e punonjësve që merren me zbatimin e sanksioneve ndaj Iranit, ndërkohë që pritet të fillojnë negociatat e reja. Vështirësitë me zbatimin e këtyre masave në kushtet e mbylljes së qeverisë i konfirmoi para senatorëve edhe Nën-Sekretarja e Shtetit Sherman.
XS
SM
MD
LG