Lidhje

Rriten tensionet mes Iranit dhe A. Saudite


Presidenti i Iranit tha sot se Arabia Saudite nuk mund ta maskojë krimin e ekzekutimit të një udhëheqësi klerik shiit, duke prerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike, edhe pse aleatët e mbretërisë filluan t’i kufizojnë lidhjet e tyre me vendin e tij. Presidenti iranian Hasan Rouhani i bëri komentet ndërsa Kuvajti njoftoi se ka thirrur ambasadorin e vet në Iran pas sulmeve ndaj misioneve diplomatike saudite në Teheran.

Ekzekutimi javën e kaluar i sheikut Nimr al-Nimr, udhëheqës i opozitës shiite në Arabinë Saudite, e ka shtuar rivalitetin mes sauditëve dhe iranianëve, duke kërcënuar devijimin e përpjekjeve tashmë të brishta të paqes për Sirinë dhe Jemenin. Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij zyrtare në internet, thuhej se Presidenti Rouhani e diskutoi mosmarrëveshjen e tanishme diplomatike me Ministrin e Jashtëm danez Kristian Jensen që ndodhet atje për vizitë.

Dy fuqitë e mëdha myslimane, Arabia Saudite dhe Irani, rivale të ashpra, i kanë prerë marrëdhëniet diplomatike, pasi Rijadi ekzekutoi në fundjavë disidentin e njohur shiit.

Analistët thonë se Arabia Saudite, nën presionin e rënies së çmimit të naftës dhe shtimit të sfidës iraniane, donte të dërgonte një mesazh të qartë për cilindo që guxon të sfidojë autoritetin e mbretërisë.

Tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit dhe aleatëve të tyre rajonalë, u acaruan edhe më tej, pasi Rijadi ekzekutoi udhëheqësin shiit.

“Pati një shkallëzim dramatik nga ana e sauditëve. Kemi të bëjmë me një reflektim të një lufte të ftohtë që ka vazhduar prej vitesh mes këtyre vendeve.”

Teherani e sulmoi ashpër Rijadin, duke e akuzuar për nxitjen e anarkisë përmes përfaqësuesve të vet në rajon.

“Ato që keni bërë në të shkuarën, si krijimi i grupeve terroriste, çfarë sollën në rajon, veç kaosit në Siri, Irak dhe vende të tjera?”

Myslimanët shiitë në Baghdad i krahasuan veprimet e Rijadit me ato të militantëve suni të Shtetit Islamik. Por Rijadi ekzekutoi edhe dhjetra ekstremistë suni, të cilët ishin disidentë.

“Kjo ishte një mënyrë për të dërguar një mesazh të qartë, si ndaj disidentëve të mundshëm shiitë, edhe ndaj xhihadistëve suni.”

Pavarësisht nga kjo, ekzekutimi i klerikut, Sheikut Nimr al-Nimr, mund të nxisë më tej tensionet në mbarë rajonin.


“Tani janë duke u zhvilluar luftra në Siri, në Jemen dhe Irak, ka tensione në vende si Bahreini dhe Libani dhe këto veprime po i thellojnë përçarjet mes sunive dhe shiitëve".

Kjo mund të dëmtojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Siri.
“Pas gjithë këtyre që ndodhën, si do të ulen të bisedojnë iranianët me sauditët?”

Arabia Saudite i mbrojti veprimet e veta, duke thënë se Irani, aleatët e tij dhe Sheiku al-Nimr, mbështesnin terrorizmin.

XS
SM
MD
LG