Lidhje

Presidenti Trump nuk e çertifikon marrëveshjen me Iranin


Presidenti amerikan Donald Trump parashtroi të enjten nga Shtëpia e Bardhë një strategji të re, më të rreptë të Shteteve të Bashkuara për Iranin.

Presidenti nuk e çertifikoi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes SHBA, vendeve aleate dhe Teheranit, por nuk e hodhi poshtë të gjithë marrëveshjen.

Ai tha se marrëveshja e Iranit nuk është në interesat e sigurisë kombëtare amerikane.

Presidenti tha se Irani udhëhiqet nga një qeveri agresive, përgjegjëse për gjakderdhjen në rajonin e Gjirit Persik dhe që mbështet terrorizmin. Ai tha se Teherani është shkaktar i dhunës sektare në Irak dhe një prej shkatarëve të dhunës në Siri dhe Jemen.

Mosçertifikimi i marrëveshjes i hap rrugën një periudhe 60 ditore, gjatë së cilës Kongresi duhet të vendosë nëse do të rivendosë disa, apo të gjitha sanksionet ekonomike që janë hequr si pjesë e marrëveshjes me Iranin.

Presidenti Trump e quajti marrëveshjen me Iranin "një nga marrëveshjet më të këqija që kanë nënshkruar ndonjëherë ndonjëherë Shtetet e Bashkuara”. Ai kishte sugjeruar vazhdimisht se mund të largohej prej saj. Presidenti tha se Irani nuk ka "mishëruar thelbin" e marrëveshjes dhe nuk i ka zbatuar kërkesat e saj.

Administrata Trump e ka akuzuar vazhdimisht Iranin për sponsorizim të terrorizmit, për kërcënim të aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe për prova me raketa balistike. Presidenti Trump ka thënë publikisht se marrëveshja nuk i mbulon këto çështje..

Zyrtarët iranianë kanë theksuar se marrëveshja nuk mund të rinegociohet. Presidenti Iranian Hassan Rouhani ka kërcënuar të largohet nga marrëveshja “brenda pak orësh” në se Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të reja.

Në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, udhëheqësi amerikan parashtroi jo vetëm kundërshtimet ndaj marrëveshje bërthamore, por edhe sjelljen e qeverisë iraniane, përfshirë programin e tyre të raketave, mbështetjen për presidentin sirian Bashar al Assad, dhe lidhjet e Teheranit me terrorizmin.

Ai tha se adminsitrata do të përpiqet t’i kundërvihet aktiviteteve destabilizuese të Teheranit dhe do të vendosë sanksione të tjera shtesë ndaj regjimit iranian, për të bllokuar financimin e terrorizmit prej tij.

Presidenti tha gjithashtu se strategjia e re do të prekë edhe përhapjen e armëve dhe raketave të Iranit dhe se do t'i mbyllë Teheranit të gjitha rrugët për të zhvilluar armë bërthamore.

Trump se ai do ta urdhërojë administratën e tij të punojë nga afër me Kongresin për të trajtuar “shumë të meta të marrëveshjes” dhe për të siguruar që Teherani të mos mund t'i kërcënojë asnjëherë Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore.

Presidenti tha se nëse Kongresi nuk harton një legjislacion të ri, ai do t’i japë fund marrëveshjes. Çdo vendim për të ri-vendosur sanksionet e lidhura me programin bërthamor, do ta tërhiqte automatikisht Amerikën nga marrëveshja.

Lëvizja e zotit Trump është në thelb një kompromis që e lejon atë të dënojë një marrëveshje, por jo ta shfuqizojë atë.

Presidenti Trump tha se po godet Gardën Revolucionare të Iranit me sankione për mbrojtjen që i bën terrorizmit.

Përcaktimi i ri përdor autoritetin ekzistues të sanksioneve krijuar përmes një urdhëri ekzekutiv të vitit 2001. Departamenti i Thesarit tha se dënimet kanë në objektiv forcat kude, një njësi e Gardës Revolucionare të Iranit. Departamenti i Thesarit tha gjithashtu se Garda Revolucionare ka mbështetur aktivitete vdekjeprurëse nga Hezbollahu dhe Hamasi, si dhe fushatën brutale të presidentit sirian Bashar Assad kundër njerëzve të tij.

Por Shtetet e Bashkuara nuk e shtuan Gardën Revolucionare në listën zyrtare të organizatave të huaja terroriste. Ky hap do ta detyronte Uashingtonin të merrte hapa të mëtejshme kundër Gardës Revolucionare që Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka thënë se mund të krijojë probleme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG