Lidhje

SHBA publikon filmimet; anija ushtarake iraniane largon një minë të paplasur


​Presidenti amerikan Donald Trump fajësoi sot Iranin për sulmet ndaj dy cisternave të naftës në hyrje të Gjirit Persik, megjithë mohimet e Teheranit. Presidenti Trump i tha kanalit Fox News, se "Irani e ka bërë" dhe shtoi se përpjekjet e Iranit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit nuk do të dalin me sukses. Presidenti Trump i diskutoi sulmet edhe gjatë një bisede telefonike sot me kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili sapo pati vizituar Teheranin, në një përpjekje për të ulur tensionet.

Pak orë më parë, marina e Shteteve të Bashkuara publikoi një video ku tregohet një anije patrullimi iraniane duke hequr një minë detare të paplasur nga trupi i një prej anijeve çisternë që u sulmuan të enjten. I pari që akuzoi Iranin për sulmet ishte Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Njëra prej anijeve çisternë është në pronësi të një kompanie norvegjeze, ndërsa tjetra i përket një kompanie japoneze.

Mina ishte kapur pas trupit të anijes japoneze, jo larg minës tjetër që kishte shpërthyer. Ndërkohë, anija norvegjeze po digjej nga flakët.

Në këtë foto të botuar nga Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tregohet dëmi i shkaktuar nga minat ndaj anijes "Kokuka Courageous" në gjirin e Omanit, pranë bregdetit iranian
Në këtë foto të botuar nga Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tregohet dëmi i shkaktuar nga minat ndaj anijes "Kokuka Courageous" në gjirin e Omanit, pranë bregdetit iranian

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka fajësuar Iranin për sulmet e djeshme.

“Ky konkluzion bazohet tek të dhënat e zbulimit, armët e përdorura, nivelin e ekspertizës që duhet për të ekzekutuar një operacion të tillë, sulme të tjera të ngjashme të kryera nga Irani ndaj anije të mallrave, si dhe faktin që asnjë grup tjetër në rajon nuk ka burimet dhe zotësinë të veprojë me një nivel kaq të lartë sofistikimi. Ky është vetëm sulmi më i fundit nga një seri sulmesh të Republikës Islamike të Iranit dhe vasalëve të saj, ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve”, deklaroi Sekretari Pompeo.

Sulmet u zhvilluan ndërsa Kryeministri japonez Shinzo Abe ndodhej në Teheran për t’u takuar me Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khameini me qëllim uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Kryeministri japonez gjatë vizitës në Teheran
Kryeministri japonez gjatë vizitës në Teheran

“Irani e vlerësoi vizitën dhe jemi në të njëjtën frekuencë për sa i përket uljes së tensioneve”, tha Yoshihide Suga, shefi i kabinetit japonez.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po fliste gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit me Lidhjen Arabe, ku dënoi çdo sulm ndaj anijeve civile.

“Duhet të parashtrohen faktet dhe të qartësohen përgjegjësitë. Nëse ekziston diçka që botës nuk i duhet, është një tjetër përplasje madhore në rajonin e Gjirit”, tha zoti Guterres.

nga takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së
nga takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara akuzuan Iranin se përdori minat për të sulmuar katër anije çisternë pranë bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një akuzë që Irani e ka mohuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG