Lidhje

Iran, tubime pro qeveritare pas disa ditë protestash


Televizioni shtetëror iranian shfaqi sot pamje të tubimeve pro-qeveritare në zona të ndryshme anembanë vendit, disa ditë pas protestave kundër qeverisë dhe problemeve ekonomike në Iran. Turmat tundnin flamuj iranianë dhe thërrisnin në mbështetje të udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Ky i fundit ka fajësuar disa qeveri për nxitje të protestave anti-qeveritare që filluan javën e kaluar duke shkaktuar të paktën 21 të vdekur.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare H.R McMaster tha se është e rëndësishme që regjimit iranian t’i mohohen burimet për të vazhduar fushatat e tij vrastare.

Në disa postime në Twiter Presidenti amerikan Trump shprehu mbështetjen për ata që protestonin kundër qeverisë iraniane.

Gjatë një interviste që dha dje për Zërin e Amerikës, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare H.R. McMaster tha se qeveria iraniane duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj. Sipas zotit McMaster populli iranian po shpreh zhgënjim ndaj një regjimi i cili i kushton më shumë vëmendje eksportimit të terrorizmit, sesa plotësimit të nevojave të popullit të tij.

"Është e rëndësishme që këtij regjimi t'i mohohen burimet që i nevojiten për të vazhduar fushatat e tij vrastare, me diplomaci por edhe sanksione. Populli iranian po shpreh pakënaqësi rreth natyrës së këtij regjimi dhe mënyrës sesi trajtohet prej tij. Po shohim gjithashtu sesi ky regjim trajton pjesën tjetër të botës", tha zoti McMaster.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha se protestat në Iran, duhet të jenë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

"Nëse kemi parasysh se çfarë ndodh gjatë diktaturave, ajo çfarë mund të presim në ditët në vijim janë abuzime më mizore. Komuniteti duhet të flasë. Në ditët në vijim do të bëjmë thirrje për një seancë urgjente këtu në Nju Jork dhe në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë. Nuk duhet të heshtim. Populli i Iranit po thërret për liri. Të gjithë ata që e duan lirinë duhet t’i qëndrojnë kauzën së tyre", tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu keqardhje për gjakderdhjen në Iran. Ai tha se Kombet e Bashkuara presin që "të respektohen të drejtat e grumbullimit dhe të shprehjes në rrugë paqësore të popullit iranian".

Të hënën Presidenti i Iranit Hassan Rouhani, paralajmëroi se forcat e sigurisë do t’u "përgjigjen shkaktarëve të trazirave publike dhe shkelësve të ligjit", siç tha ai.

Me qindra vetë janë arrestuar që nga fillimi i protestave të enjten e kaluar në Mashhad, përpara se ato të përhapeshin në pjesë të tjera të vendit.

Më vonë gjatë këtij muaji administrata e presidentit Trump do të ketë një mundësi për të rivendosur ose të miratojë sanksione të reja kundër Teheranit, kohë që përkon me riçertifikimin 90 ditor të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Në tetor Presidenti nuk e çertifikoi marrëveshjen e arritur gjatë administratës Obama, duke ia kaluar “topin” për rishikimin e sanksioneve Kongresit. Por ky i fundit nuk bëri asgjë. Tashmë ligjvënësit mund të “kenë oreks” për të zbatuar presion politik ndaj autoriteteve iraniane.

Por cili do të jetë qëllimi?

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders u pyet nëse Uashingtoni dëshiron ndryshim të regjimit në Teheran.

"Mendoj se përfundimi duhet të ishte që popullit Iranit t'i garantoheshin të drejtat themelore të njeriut. Presidenti do të donte që Irani të mos ishte më një vend që sponsorizon terrorizmin. Mendoj se kjo është diçka që e gjithë bota do të donte ta shihte".

Por ende mbetet për t'u parë se çfarë ndryshimesh të qëndrueshme do të sjellin protestat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG